Bashkimi Evropian ka reaguar ndaj deklaratave të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, pas vendimit për dënimin e ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Kurti e kishte cilësuar aktgjykimin si padrejtësi, ndërsa Rama e kishte përshkruar atë si “marre”.
Të lidhura
None found
Christian Wigand, zëdhënës i Komisionit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, deklaroi se Dhomat e Specializuara të Kosovës e ushtrojnë drejtësinë përmes proceseve gjyqësore të drejta, të pavarura dhe të paanshme.
Wigand tha se BE-ja ka marrë dijeni për aktgjykimin e shkallës së parë në çështjen e Prokurorisë së Specializuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit. Sipas tij, procedurat mbështeten në parimin e përgjegjësisë individuale penale, ndërsa të dënuarit kanë të drejtë ta apelojnë vendimin para gjyqtarëve të pavarur të apelit, në një trup gjykues të veçantë të shkallës së apelit, raporton KosovaPress.
Zëdhënësi i KE-së u bëri thirrje të gjitha palëve dhe aktorëve në Kosovë e në rajon që të tregojnë përmbajtje. Ai theksoi gjithashtu rëndësinë e krijimit të një klime pa frikë e hakmarrje, si dhe të mbrojtjes së viktimave dhe dëshmitarëve.
Edhe Guillaume Mercier, zëdhënës i Komisionit Evropian për Zgjerim, iu referua qëndrimit të Komisioneres Evropiane për Zgjerim, Marta Kos. Ai deklaroi se vendimet e Dhomave të Specializuara duhet të respektohen dhe se personat e dënuar kanë të drejtë t’i apelojnë ato.
Mercier nënvizoi se Dhomat e Specializuara të Kosovës janë një institucion gjyqësor i pavarur dhe i paanshëm. Ai tha se procesi lidhet me përgjegjësinë individuale dhe drejtësinë për viktimat dhe familjet e tyre nga të gjitha komunitetet në Kosovë.
Ai u kërkoi aktorëve rajonalë të kontribuojnë në shërimin e plagëve të së kaluarës, duke theksuar se pajtimi është rruga përmes së cilës vendet e rajonit mund të kapërcejnë ndarjet dhe të ecin drejt një të ardhmeje të përbashkët në Bashkimin Evropian.
Më 16 shtator, Gjykata Speciale shpalli vendimin e shkallës së parë, me të cilin Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi u dënuan me nga 25 vjet burgim, Kadri Veseli me 18 vjet, ndërsa Rexhep Selimi me 13 vjet.
