Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka reaguar për situatën e krijuar rreth konstituimit të Kuvendit, duke vlerësuar se ky proces mund të përfundojë edhe pas kalimit të afatit kushtetues prej 30 ditësh. Megjithatë, sipas KDI-së, për këtë çështje nevojitet një sqarim juridik.
Të lidhura
None found
Sipas institutit, konstituimi i Kuvendit është i rëndësishëm për funksionimin e institucioneve dhe për kapërcimin e krizës institucionale.
KDI ka kërkuar që Gjykata Kushtetuese të përcaktojë pasojat juridike të mosrespektimit të afatit 30-ditor, si dhe ndikimin që do të kishte konstituimi i Kuvendit pas përfundimit të këtij afati.
“Kjo është çështje që duhet të trajtohet përmes mekanizmave kushtetues dhe nga institucionet kompetente”, thuhet në reagimin e KDI-së.
Instituti u ka bërë thirrje deputetëve dhe palëve të autorizuara që të kërkojnë interpretim për statusin juridik të konstituimit të Kuvendit pas skadimit të afatit, si dhe për vlefshmërinë e veprimeve që do të kryhen pas konstituimit.
KDI ka nënvizuar se kjo çështje shkon përtej krizës së tanishme, pasi lidhet edhe me mënyrën e funksionimit të rendit kushtetues të Kosovës në të ardhmen.
“Qytetarët e Kosovës kanë nevojë për institucione që funksionojnë, por kanë po aq nevojë që këto institucione të funksionojnë brenda rendit kushtetues”, përfundon reagimi.
