Deputetja e LDK-së, Jehona Lushaku, ka reaguar ndaj mosvazhdimit të procedurës për zgjedhjen e nënkryetarëve të Kuvendit, duke ia atribuar përgjegjësinë Lëvizjes Vetëvendosje.
Të lidhura
None found
Sipas saj, procesi i konstituimit po mbetet i pezulluar pasi grupi më i madh parlamentar nuk po mbështet kandidaturat e propozuara nga partitë e tjera. Lushaku e përshkroi këtë situatë si të pazakontë dhe të paprecedentë.
“Është e paprecedentë që konstituimi të mos vazhdojë për shkak të mungesës së mbështetjes nga grupi më i madh parlamentar për kandidatët për nënkryetarë të propozuar nga partitë e tjera”, deklaroi ajo.
Lushaku bëri të ditur se LDK-ja ka paraqitur Kujtim Shalën si kandidat për postin e nënkryetarit të Kuvendit. Ajo vlerësoi se përvoja dhe përgatitja e tij do të përbënin një vlerë për Kuvendin e Kosovës.
“Si subjekt politik, kemi detyrimin të propozojmë emrat më të mirë. Kujtim Shalën e kemi përzgjedhur sepse besojmë se përgatitja e tij e nderon Kuvendin e Kosovës dhe ne vazhdojmë ta mbështesim propozimin tonë”, u shpreh ajo pas përfundimit të seancës konstituive.
Deputetja e LDK-së shtoi se vendi tashmë ka kaluar afatet e përcaktuara nga Kushtetuta. Ajo tha se, megjithëse po i jepet Kosovës mundësia për të dalë nga kjo situatë përmes vullnetit të mirë, procesi nuk po ecën përpara për shkak të VV-së.
“Grupi më i madh parlamentar duhet të kujtojë se tashmë kemi dalë jashtë afateve kushtetuese. Po përballemi me një situatë ku, për hir të vullnetit të mirë, po përpiqemi t’i japim Kosovës një mundësi, por sot kjo nuk po ndodh për fajin e VV-së”, tha Lushaku.
