Sazan Ibrahimi, drejtor ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës, e ka cilësuar pozitive nisjen e procesit gjyqësor për dëmet që kontratat kolektive u kanë shkaktuar komunave. Ai shprehu shpresën se gjykatat do të japin vendime në favor të tyre.
Të lidhura
None found
Sipas Ibrahimit, çështja po shqyrtohet për herë të parë pas disa vitesh pritjeje. Asociacioni ka pohuar vazhdimisht se komunave u janë marrë padrejtësisht mjete financiare, pasi kontratat kolektive janë lidhur nga niveli qendror.
Ibrahimi: Komunave u janë marrë padrejtësisht mjetet financiare
“Pas disa vitesh pritjeje, sot nisi procesi i parë për shqyrtimin e dëmeve që kontratat kolektive u kanë shkaktuar komunave. Si Asociacion i Komunave, kemi thënë vazhdimisht se këto mjete financiare janë marrë padrejtësisht, sepse kontratat kolektive janë nënshkruar nga niveli qendror. Jemi shumë të kënaqur që procesi ka nisur dhe besojmë se gjykatat tona do të marrin vendime të drejta. Shpresojmë që vendimet të jenë në favor të komunave”, deklaroi ai.
Ibrahimi tha se gjatë viteve të fundit, nga buxhetet komunale janë marrë qindra miliona euro. Si pasojë, sipas tij, këto mjete nuk kanë mundur të përdoren për projekte që do të përmirësonin drejtpërdrejt jetën e qytetarëve.
Kreu i Asociacionit shpreson për vendim të drejtë nga gjykatat
“Vitet e fundit, komunave u janë marrë padrejtësisht qindra miliona euro nga buxhetet e tyre. Këto para nuk kanë mundur të shfrytëzohen për shumë projekte të investimeve kapitale, për mallra e shërbime, subvencione dhe kategori të tjera që do të ndikonin drejtpërdrejt në përmirësimin e jetës së qytetarëve. Shpresojmë që gjykatat tona të japin një vendim të drejtë, i cili, sipas pritjeve tona, do të jetë në favor të komunave”, tha ai.
Kreu i Asociacionit kritikoi edhe nivelin qendror, të cilin e akuzoi se nuk i ka kushtuar vëmendjen e duhur çështjes së kontratave kolektive. Ai tha se mungesa e përfaqësuesve të tij në seancën e parë dëgjimore tregon mungesë përkushtimi ndaj komunave.
“Gjatë këtyre viteve kemi thënë se niveli qendror nuk po e trajton seriozisht këtë çështje. Dëmi po u shkaktohet komunave, ndërsa niveli qendror, në këtë raport, është në pozitë shumë të rehatshme. Marrja e qindra miliona eurove nga komunat ndikon te qytetarët e Republikës së Kosovës. Vlerësojmë se niveli qendror edhe kësaj radhe nuk tregoi seriozitet ndaj komunave, pasi nuk mori pjesë në seancën e parë dëgjimore për problemin e kontratave kolektive”, u shpreh Ibrahimi.






