Enver Hoxhaj, deputet dhe ish-ministër i Jashtëm, njëherësh mik dhe bashkëpunëtor i afërt i ish-drejtuesve të UÇK-së, e ka cilësuar vendimin e Gjykatës së Hagës për dënimin e tyre si një agresion ndërkombëtar kundër Kosovës.
Të lidhura
None found
Sipas tij, skena politike në Kosovë duhet të riformatohet për t’iu përgjigjur kësaj situate, të cilën e konsideroi goditjen më të rëndë për vendin. Hoxhaj tha se pas agresionit në Banjskë, të ndodhur para 2-3 vitesh, Kosova po përballet me një tjetër agresion, këtë herë në nivel ndërkombëtar.
Ai bëri thirrje që deputetët të mbledhin nënshkrimet e nevojshme dhe të nisin procedurën për zhbërjen e gjykatës, duke theksuar se është i gatshëm të jetë i pari që do ta firmosë këtë nismë.
Hoxhaj deklaroi se vendimi i djeshëm i Hagës, të cilin e cilësoi të padrejtë, ka prekur historinë dhe identitetin e Kosovës. Në një deklaratë për Rtv21, ai tha se janë dëmtuar identiteti i qytetarëve, e tashmja e vendit, lufta për pavarësi dhe legjitimiteti i shtetit të pavarur të Kosovës.
Sipas tij, këto zhvillime kanë krijuar një situatë dhe rrethana krejtësisht të reja politike, ndaj edhe qasja e politikës kosovare duhet të rishqyrtohet.
Deputeti theksoi gjithashtu se vendimi i Hagës për ish-krerët e UÇK-së nuk mund të pranohet kurrë. Ai e konsideroi fyerje të rëndë ndaj popullit të Kosovës dhe qytetarëve të saj pretendimin se drejtuesit e UÇK-së kanë pasur qëllim dhe plan kriminal.
Hoxhaj shtoi se vendimi duhet të kundërshtohet përmes apelimit dhe ankimit, ndërsa populli i Kosovës, në çdo formë dhe me çdo mënyrë, duhet t’i thotë “JO”.
