Lidhja Demokratike e Kosovës mund t’i vërë në dispozicion 18 votat e deputetëve të saj të zgjedhur në Kuvendin e Kosovës, nëse në një marrëveshje të mundshme me Lëvizjen Vetëvendosje, fituese e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 7 qershorit, posti i presidentit i jepet LDK-së.
Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, tha për REL se deputetët e partisë së tij mund të dalin të unifikuar vetëm nëse kandidati për president vjen nga radhët e LDK-së dhe jo nga jashtë saj.
Të lidhura
None found
“Në rast se ky emër është Lumiri [Abdixhiku, kryetar i partisë] ose emri im, atëherë mund të unifikohemi. Lumirit i bie të jetë i pari, sipas detyrës zyrtare, sepse është kryetar. Pas Lumirit, konsensus më të madh [brenda LDK-së] kam unë”, theksoi Haziri.
Në garën zgjedhore të 7 qershorit, LDK-ja doli me Vjosa Osmanin si kandidate për presidente dhe me Lumir Abdixhikun si kandidat për kryeministër.
Megjithëse partia fitoi 18 ulëse në Kuvendin e Kosovës, Haziri tha se për kandidaturën e Osmanit nuk do të ishte e mundur të sigurohej mbështetja e të gjithë deputetëve të LDK-së.
“Mund të jetë sikur herën e kaluar, pra, dy-tri vota, mund të ndahen, por në rastin e Lumirit ose rastin tim, mund të unifikohemi”, sqaroi Haziri.
Vetë Osmani kishte deklaruar më herët se emri i saj “nuk ka qenë, as nuk është e as nuk do të bëhet pengesë në krijimin e institucioneve”.
Haziri u shpreh po ashtu se aktualisht ekziston vetëm një adresë zyrtare te LDK-ja për çdo komunikim të mundshëm nga Lëvizja Vetëvendosje lidhur me një marrëveshje eventuale.
“Vetëm me Lumir Abdixhikun. Ai është kryetar. Ne nuk kemi mbledhur Kuvendin [e LDK-së]. Nëse mblidhet Kuvendi ose ka akt të dorëheqjes, atëherë kemi situatë të re. Deri atëherë është vetëm një adresë dhe nuk ka adresë të dytë”, tha Haziri.
Kjo deklaratë e tij erdhi si reagim ndaj qëndrimeve të Donika Gërvallës, ministre në detyrë e Drejtësisë në Qeverinë e Albin Kurtit dhe pjesë e LVV-së.
Duke folur për zhvillimet e brendshme në LDK, Gërvalla tha se në këtë parti “janë disa rryma të ndryshme”.
Ajo shtoi se për LVV-në mbetet problem të zhvillojë bisedime me LDK-në, pasi, sipas saj, “nuk e dimë me cilën rrymë je duke folur”, kur bëhet fjalë për një marrëveshje të mundshme për konsolidimin e institucioneve pas zgjedhjeve të 7 qershorit.
“Unë po kërkoj që ai që potencialisht ulet për të negociuar me ne, të jetë edhe personi që e përfaqëson këtë parti. Ne nuk mund të ulemi me pesë veta të ndryshëm në LDK. Sepse nëse LDK-ja dëshiron të jetë faktor në zgjedhjen e presidentit, atëherë ata duhet të garantojnë edhe votat e grupit të vetë parlamentar”, theksoi Gërvalla.
Nga ana tjetër, Haziri tha se deri tani LDK-ja “nuk ka ardhur nga LVV-ja ndonjë ftesë” për bisedime rreth një marrëveshjeje të mundshme.
Sipas tij, nëse një ftesë e tillë i dërgohet partisë, ajo do të trajtohet nga organet e LDK-së dhe vendimi do të merret brenda partisë, në varësi të ofertës që do të vijë nga LVV-ja.
Zgjedhjet e parakohshme të 7 qershorit u mbajtën pasi legjislatura e kaluar nuk arriti të zgjidhte një president të ri brenda afatit kushtetues, pas përfundimit të mandatit pesëvjeçar të Vjosa Osmanit në prill.
Nga LVV-ja është thënë se janë të gatshëm të diskutojnë për formimin e institucioneve të reja pasi të certifikohet rezultati i zgjedhjeve të 7 qershorit.
Kushtetuta parasheh që për konstituimin e Kuvendit dhe zgjedhjen e Qeverisë nevojiten të paktën 61 vota deputetësh.
Si fituese e zgjedhjeve, LVV-ja e Albin Kurtit pritet të sigurojë 53 mandate në Kuvendin me 120 ulëse dhe, së bashku me pakicat joserbe, mund t’i arrijë numrat për Kuvendin dhe Qeverinë.
