Me rastin e Ditës Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës Seksuale gjatë luftës, Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, së bashku me zëvendëskryeministren dhe ministren Gërvalla, zhvilluan një takim me Vasfije Krasniqi Goodman, Ramadan Nishori, si dhe me përfaqësuese të Medica Kosova, Medica Gjakova, KRCT-së dhe Qendrës për Promovimin e të Drejtave të Grave në Drenas.
Haxhiu ka thënë se këto organizata, për shumë vite, kanë qenë pranë të mbijetuarave të dhunës seksuale gjatë luftës, duke ofruar përkujdesje, dokumentim, ndihmë ligjore e psikologjike, si dhe duke dëshmuar angazhim të vazhdueshëm për drejtësinë dhe dinjitetin e tyre.
Të lidhura
None found
“Për vite me radhë, këto organizata u kanë qëndruar pranë të mbijetuarave të dhunës seksuale gjatë luftës, me kujdes, dokumentim, mbështetje ligjore e psikologjike dhe me përkushtim të pandërprerë për drejtësinë dhe dinjitetin e tyre. Sot i falënderova për këtë punë të çmuar dhe për rolin që vazhdojnë ta kenë në mbështetje të të mbijetuarave”, ka thënë Haxhiu.
Në këtë takim u fol edhe për veprimet që institucionet duhet të ndërmarrin, në mënyrë që rruga e të mbijetuarve drejt njohjes dhe drejtësisë të bëhet më e lehtë dhe më dinjitoze.
“Diskutuam për rishikimin e afateve për aplikim, lirimin nga taksat gjyqësore, një hapësirë më të qasshme për Komisionin e Verifikimit, si dhe garancitë e një procesi të verifikimi ku të mbijetuarit trajtohen me dinjitet”, ka theksuar Haxhiu.
Sipas saj, zbatimi i këtyre masave do të ndihmonte në ndërtimin e një sistemi më të drejtë, më human dhe më të ndjeshëm ndaj nevojave dhe realitetit të të mbijetuarve.
