Ramush Haradinaj, ish-kryetar i AAK-së, ka thënë se përbërja e dalë nga zgjedhjet nuk i ka siguruar forcës fituese numrat e mjaftueshëm për të qeverisur e vetme. Sipas tij, rrethanat kërkojnë që pozita dhe opozita të bashkëpunojnë në procesin e vendimmarrjes.
Të lidhura
None found
Duke folur për mediat, Haradinaj deklaroi se kryeministri në detyrë, Albin Kurti, deri tani nuk ka paraqitur një model ku vendimet të merren së bashku. Ai tha se nga Kurti është ofruar vetëm mundësia që opozita të bëhet pjesë e pushtetit.
“Qytetari ka votuar dhe populli ka dhënë verdiktin e tij. Tash jemi deputetë të zgjedhur, ndërsa rezultati i votimit kërkon bashkëvendimmarrje, pra vendimmarrje të përbashkët. Partisë fituese qytetari nuk ia ka dhënë shumicën e nevojshme”, ka deklaruar Haradinaj.
Ai ka vlerësuar se, duke u nisur nga rezultati zgjedhor, njëri prej dy funksioneve më të rëndësishme shtetërore — kryeministri ose presidenti — duhet t’i besohet opozitës.
“Kryeministri është posti kryesor, pasi drejton qeverinë, ndërsa presidenti është njëri prej dy funksioneve më të larta. Sipas rezultatit, njëri prej këtyre dy posteve i takon opozitës. Nëse zgjedhjet lexohen me logjikë demokratike, ky duhet të jetë përfundimi i atij që i ka fituar. Por nëse veprohet me logjikë regjimi, siç po vepron Kurti, atëherë nuk kërkohet vendimmarrje e përbashkët”, është shprehur ai.
Sipas Haradinajt, Kurti synon t’i ruajë për vete të gjitha funksionet kryesore, ndërsa opozitës t’i ofrojë vetëm një rol brenda ekzekutivit.
Haradinaj ka nënvizuar se opozita mund të kontribuojë në themelimin e institucioneve, por jo thjesht duke u bërë pjesë e qeverisë.
“Nuk besoj se opozita i shërben Kosovës duke hyrë në qeverinë e Kurtit vetëm për përfitime politike. Ajo mund ta ndihmojë vendin duke qenë pjesë e vendimmarrjes. Aleanca nuk synon thjesht poste apo përfitime nga pushteti, por nëse na jepet mundësia të kemi rol në ndihmën ndaj Kosovës, atëherë jemi të gatshëm”, ka thënë Haradinaj.
