Opinionisti Hafiz Shala është shprehur se protesta në Tiranë duhet të mbështetet edhe nga shqiptarët e Dardanisë, Maqedonisë së Veriut dhe diasporës, pasi, sipas tij, ajo lidhet drejtpërdrejt me interesin kombëtar shqiptar.
Ai theksoi se pjesëmarrja në këtë tubim ka rëndësi për mbrojtjen e interesave kombëtare, ndërsa nënvizoi se çdo bashkëpunim me faktorë të jashtëm që, sipas tij, cenon interesat shqiptare, duhet të trajtohet me kujdes të veçantë.
Të lidhura
None found
Sipas Shalës, edhe përgjegjësia për zhvillimet politike duhet të analizohet në mënyrë kritike, duke pasur në vëmendje rrethanat rajonale dhe ndërkombëtare.
“Në pyetjen, se a duhet të marrin pjesë shqiptarët e Dardanisë dhe Maqedonisë?
Po, sepse ky është një çështje që lidhet me interesin kombëtar shqiptar.
Pa këtë figurë, e cila për një kohë të gjatë është akuzuar nga kritikët për bashkëpunime me Beogradin kundër Republikës së Dardanisë dhe interesave të përgjithshme shqiptare, shqiptarët nga të gjitha trojet dhe diaspora duhet të jenë të pranishëm në Sheshin “Skënderbej” në Tiranë. Nëse dikush ka dyshime, shtrohet pyetja: a do të hezitonin shqiptarët të dalin në mbrojtje të shtetit amë nëse ai do të sulmohej? Besoj se jo, sepse ata janë treguar gjithmonë të gatshëm të mbrojnë Dardaninë.
Prandaj, në këtë kontekst, disa e konsiderojnë të nevojshme që çdo bashkëpunim me faktorë të jashtëm që dëmtojnë interesin kombëtar shqiptar të analizohet me kujdes. Sipas kësaj qasjeje, përgjegjësia për zhvillimet politike duhet të shihet në mënyrë kritike, duke pasur parasysh raportet rajonale dhe ndërkombëtare.
Një sugjerim: nuk do të ishte e dëshirueshme që individë me ambicie politike të paraqiten si udhëheqës të një krize shtetërore apo të një lëvizjeje gjithëkombëtare, nëse qëllimi është pengimi i programeve që perceptohen si të dëmshme për interesat shqiptare në rajon. Në këtë kuadër, debati politik shpesh lidhet me figurat kryesore të pushtetit dhe përgjegjësinë e tyre në raport me zhvillimet në rajon”, tha ai.
Në vijim të deklaratës së tij për “Bota sot”, Shala u shpreh se, sipas këndvështrimit të tij, përfundimi i një lëvizjeje të tillë qytetare duhet të çojë në ngritjen e një organi të përkohshëm, i cili do të administrojë vendin deri në zhvillimin e zgjedhjeve të rregullta demokratike.
Ai foli edhe për mundësinë e mbajtjes së një referendumi gjithëpopullor për çështje që i konsideron me peshë historike për Shqipërinë dhe për shqiptarët në rajon.
“Epilogu i një lëvizjeje të tillë historike rinore në zemër të kombit, në Shqipëri, sipas kësaj ideje, duhet të vendoset nga një organ i përkohshëm i propozuar nga populli, deri në zgjedhje të rregullta demokratike që burojnë nga komunitetet lokale. Gjithashtu, mund të konsiderohet ideja e një referendumi gjithëpopullor që do të merrte përgjegjësinë historike për vendime të rëndësishme në Shqipëri dhe në gjithë hapësirën shqiptare.
Po ashtu, shihet si mundësi historike forcimi i bashkëpunimit midis Shqipërisë dhe Kosovës, me synimin e një integrimi më të thellë institucional, madje edhe në formën e një konfederate në të ardhmen, si një hap drejt realizimit të aspiratave historike të shqiptarëve. Kjo do të kërkonte gjithashtu bindjen dhe mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë, duke argumentuar se ndarja e shqiptarëve në më shumë shtete është pasojë e padrejtësive historike dhe duhet trajtuar në mënyrë të drejtë dhe të balancuar në kontekstin e vlerave evropiane dhe historisë së rajonit.
Porosi: mos u ndalni”, përmbylli ai për “Bota sot”.
