Gjykata Speciale ka nxjerrë Urdhrin e Tretë për Caktimin e Datave në procesin gjyqësor ndaj Hashim Thaçit dhe të tjerëve, të akuzuar për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë. Përmes këtij urdhri janë anuluar seancat e parashikuara për muajin gusht.
Të lidhura
None found
Shkak për këtë vendim është bërë njoftimi i dorëzuar më 30 korrik 2026 nga Mbrojtja e Smakajt, në përputhje me Rregullën 131, ku bëhej e ditur se nuk do të paraqiteshin prova në këtë fazë të procedurës.
Gjykatësi i vetëm që po shqyrton çështjen vendosi të heqë nga kalendari seancat e planifikuara për 17, 18 dhe 19 gusht 2026. Po ashtu, u anuluan edhe afatet e përcaktuara më parë në Urdhrin e Dytë për Caktimin e Datave.
Ndërkaq, Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) iu caktua afati deri më 4 gusht 2026, në orën 12:00, për të paraqitur një mocion nëse synon të sjellë kundërprova.
Nëse ZPS nuk dorëzon një mocion të tillë, procesi i administrimit të provave do të mbyllet dhe çështja do të kalojë në fazën përfundimtare.
Urdhri përcakton edhe afatet e mëposhtme procedurale:
24 gusht 2026, deri në orën 16:00 – paraqitja e dosjeve gjyqësore përfundimtare, nëse palët zgjedhin t’i dorëzojnë;
4 shtator 2026 – paraqitja e kundërpërgjigjeve, nëse do të ketë të tilla;
10, 11 dhe 14 shtator 2026 – zhvillimi i seancave për paraqitjen e argumenteve përmbyllëse.
