Vezir Haziraj do të qëndrojë një muaj në paraburgim, vendim ky i marrë nga Gjykata Themelore e Pejës.
Të lidhura
None found
Gjykata e ka konfirmuar këtë masë përmes një përgjigjeje zyrtare, pas shqyrtimit të kërkesës së prokurorisë dhe zhvillimit të seancës dëgjimore.
Sipas njoftimit, gjyqtari i procedurës paraprake, me Aktvendimin me shenjën DKR.PP.nr.135/26, të datës 16.08.2026, ka vendosur që paraburgimi ndaj tij të zgjasë një (1) muaj.
Haziraj, i arrestuar të shtunën, ka pasur përplasje me drejtësinë që kur ishte 16 vjeç.
Dosja e siguruar nga Klan Kosova tregon se ndaj tij janë ngritur gjithsej 12 aktakuza për vepra të ndryshme penale.
Në vitin 2018, ai u shpall fajtor dhe u dënua me 6 vjet e 6 muaj burgim për tentim-vrasje të rëndë ndaj të dashurës së tij 17-vjeçare, të cilën e kishte sulmuar me thikë. Për arratisjen, ai mori një dënim prej 4 muajsh burgim, ndërsa një tjetër dënim prej 4 muajsh iu shqiptua pasi kreu vepër penale edhe gjatë qëndrimit në burg.
Pjesa tjetër e aktakuzave ka të bëjë kryesisht me raste të vjedhjeve të lehta dhe të rënda. Disa prej procedurave të iniciuara që nga viti 2016 ende nuk janë shqyrtuar në gjykatë.
