Komunat e Kosovës do të protestojnë nesër, më 1 shtator, në Prishtinë, me kërkesën që t’u respektohen kompetencat dhe të drejtat e garantuara me ligj. Njoftimin e ka bërë kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini.
Të lidhura
None found
Sipas Gjinit, niveli qendror po ua vështirëson komunave ushtrimin e përgjegjësive të tyre. Ai e ka përshkruar këtë veprim si të kundërligjshëm dhe të nxitur nga motive politike.
Mes problemeve të përmendura nga Gjini janë reduktimi i buxheteve, mospërfshirja e mbi 3,100 mësimdhënësve në planifikimet financiare, mungesa e kompensimit për dëmet e shkaktuara nga fatkeqësitë natyrore, përqendrimi i inspektorateve në nivel qendror dhe vendosja e kufizimeve mbi pronat komunale.
“Dobësimi i komunës sjell humbjen e shërbimeve që qytetarët i marrin përditë, ndërsa heqja e kompetencave cenon demokracinë lokale”, ka deklaruar Gjini.
Ai u ka bërë thirrje qytetarëve të marrin pjesë në protestë, duke nënvizuar se kjo nuk është një çështje që lidhet vetëm me kryetarët dhe administratat e komunave, pasi ndikon drejtpërdrejt te publiku dhe te shërbimet që i ofrohen atij.
Protesta është caktuar të zhvillohet nesër, më 1 shtator, duke nisur nga ora 11:00, në Sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë.
