Gjashtë nisma të reja, të mbështetura nga Programi i Bashkëpunimit Ndërkufitar IPA III Kosovë–Maqedoni e Veriut 2021–2027, kanë hyrë tashmë në fazën e zbatimit. Pritet që ato të sjellin rezultate konkrete për komunat dhe komunitetet në të dyja shtetet.
Të lidhura
None found
Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, bëri të ditur në një postim në Facebook se këto projekte janë orientuar drejt zhvillimit të zonave dhe komuniteteve përtej kufirit.
Fushat që mbulojnë projektet janë të ndryshme dhe përfshijnë ruajtjen e mjedisit, përballimin e ndryshimeve klimatike, administrimin e rreziqeve, promovimin e turizmit, përfshirjen sociale dhe forcimin e konkurrueshmërisë.
Në territorin e Kosovës, zbatimi do të shtrihet në Parkun Kombëtar “Sharri” dhe në komunat Ferizaj, Kllokot, Mamushë, Rahovec e Ranillug. Në Maqedoninë e Veriut, aktivitetet do të zhvillohen në Parqet Kombëtare “Sharri” dhe “Mavrovë”, si dhe në disa komuna të tjera.
Krasniqi deklaroi se ministria do të vijojë të përkrahë bashkëpunimin ndërkufitar, veçanërisht projektet që ndihmojnë në zhvillimin e komunave dhe në rritjen e cilësisë së jetës për qytetarët.
