Getinjo reagon ashpër pas anulimit të festivalit të shqiptarëve në Zvicër: Është racizëm

Çdo vit “Alba Festival” mbledh shqiptarët që jetojnë në Zvicër, por jo vetëm, në një festival dy-ditor, me të ftuar këngëtarët më të mirë shqiptarë. Edhe këtë vit, organizatorët kishin vendosur që festivali të mbahej në datat 4 dhe 5 shtator teksa ishin ftuar artistë, si: Sabri Fejzullahu, Ledri Vula, Noizy, Mozzik dhe Getinjo, Dhurata Dora, Tayna, Elvana Gjata, Kida, Elita 5, etj.

Mirëpo, 48 orë para nisjes së tij autoritetet zvicerane vendosën ta anulonin duke thënë se në Kosovë ka pasur shtim në masë të rasteve të reja me Covid-19. Kjo lidhet me faktin se pjesa më e madhe e artistëve që do të performonin do të vinin nga Kosova. Organizatorët e festivalit e cilësuan këtë si një vendim racist të bazuar tek origjina. Një reagim të ashpër ka bërë edhe Getinjo.

Ai ka publikuar një video nga një koncert që është mbajtur dje në Berlin, duke u shprehur se anulimi i “Alba Festival” është racizëm dhe diskriminues. “Sonte në Berlin, 15-20 mijë njerëz. Faleminderit Zyrih që anulove Alba Festival. Kjo është e padrejtë, ky është racizëm, ky është diskriminim”- shkruan ai.


Shtuar 5.09.2021 12:20