Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka njoftuar për vendimet e marra një ditë më parë nga qeveria në detyrë, të cilat lidhen me Odën e Avokatëve në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë.
Sipas saj, qeveria ka miratuar tri vendime.
Të lidhura
None found
Vendimi i parë parasheh ndalimin e ekzekutimit të Rregullores për pranimin dhe trajtimin e thirrjeve telefonike në sistemin e caktimit të avokatëve sipas detyrës zyrtare (ex-officio) të Odës së Avokatëve të Kosovës, deri në marrjen e vendimit përfundimtar nga gjykata kompetente.
Po ashtu, është ndaluar edhe ekzekutimi i aktit administrativ për lartësinë e shpenzimeve të regjistrimit të Odës së Avokatëve të Kosovës, deri në vendimin përfundimtar të gjykatës kompetente.
Ndërkaq, me vendimin e tretë është emëruar Komisioni për Kompensimin e Viktimave të Krimit.
Gërvalla u shpreh se këto vendime “pasqyrojnë përkushtimin e institucioneve tona për forcimin e sundimit të ligjit, garantimin e ligjshmërisë në veprimet administrative dhe avancimin e mbrojtjes së të drejtave të qytetarëve, me fokus të veçantë në qasjen e barabartë në drejtësi dhe mbështetjen institucionale për viktimat e krimit”.
