“Janë djegur, shkatërruar, demoluar dhe granatuar”.
Të lidhura
None found
Xhamia e ndodhur pranë Urës së Ibrit në Mitrovicë nuk i shpëtoi këtij shkatërrimi.
Sot, në atë hapësirë nuk ka mbetur asnjë gur themeli që të dëshmojë se aty ka ekzistuar dikur një objekt fetar.
Forcat serbe e dogjën tërësisht xhaminë gjatë vitit 1999.
Sipas Ramadan Shkodrës nga Bashkësia Islame e Kosovës, para luftës në Kosovë kishte rreth 400 xhami, ndërsa më shumë se gjysma e tyre pësuan dëmtime të ndryshme.
“Para luftës kanë qenë afërsisht 400 xhami. Prej tyre, 218 janë sulmuar, shkatërruar ose demoluar në forma të ndryshme. Këtu përfshihet selia e BIK-ut, xhamia e Llapit, ndërsa në Vushtrri është xhamia e Çarshisë, si dhe shumë xhami të tjera”, tregon Shkodra.
Ai shpjegon se në raste të caktuara objektivi nuk ishte vetëm rrënimi i xhamive, por edhe fshirja e çdo shenje që tregonte ekzistencën e tyre.
“Forcat serbe kanë dashur të krijojnë realitet të ri. Pasi i kanë minuar dhe shkatërruar objektet e trashëgimisë islame, e kanë niveluar tokën me ekskavator, në mënyrë që të humbiste çdo gjurmë dhe të krijohej një realitet i ri, ku mund të ndërtoheshin kisha ose objekte të tjera”, thotë ai.
Disa prej xhamive nuk u dëmtuan vetëm fizikisht, por u përdhosën edhe përmes shkrimeve me karakter nacionalist.
“Kemi pasur edhe përdhosje të objekteve të kultit. Në hapësirat e brendshme të xhamive janë shkruar grafite nacionaliste, grafite që shprehnin përkatësi ortodokse, si dhe mesazhe anti-shqiptare, anti-NATO, anti-SHBA dhe anti-Evropë”, u shpreh Ramadani.
Pjesa më e madhe e xhamive të dëmtuara gjatë luftës tashmë është restauruar.
Megjithatë, xhamia pranë Urës së Ibrit vazhdon të jetë e parestauruar.
Televizioni ka kërkuar një përgjigje edhe nga institutet për mbrojtjen e monumenteve, por ato nuk kanë kthyer përgjigje.
