Arben Fetoshi, drejtor i Institutit për Studime të Luftës Hibride “Octopus”, ka reaguar ndaj deklaratave të presidentit serb Aleksandar Vuçiq për lumin Ibër. Sipas tij, përdorimi i ujit si mjet presioni dëshmon se resurset natyrore vazhdojnë të jenë pjesë e strategjisë hibride të Serbisë kundër Kosovës.
None found
“Një deklaratë me elemente fashiste që përbën një tjetër kërcënim të drejtpërdrejt ndaj Kosovës. Vuçiq e zbuloi planin për ‘mbrojtjen e serbëve’, duke përdorur ujin si instrument presioni: Do ta ndryshojmë rrjedhën e Ibrit, pastaj të shohim se çfarë do të bëjnë shqiptarët” (RT Balkan, 09.08.2026). Fetoshi ka shkruar në Facebook se lidhja e këtij “plani” me pretendimet për “keqtrajtim” të serbëve nuk duhet parë vetëm si retorikë për audiencën e brendshme. Sipas tij, kjo përbën përshkallëzim të strategjisë hibride ndaj Kosovës dhe konfirmon në mënyrë të tërthortë përgjegjësinë për sabotazhin në kanalin e Ibër-Lepencit në vitin 2024.
Fetoshi ka vlerësuar se, pas dështimit të sulmit që synonte destabilizimin e vendit për shkak të pasojave të mundshme në furnizimin me ujë të komunave në veri, Mitrovicës, Vushtrrisë, Prishtinës, Drenasit, Fushë Kosovës dhe Obiliqit, si dhe në furnizimin me energji të termocentraleve në Obiliq, Vuçiq po tregon se Beogradi nuk ka hequr dorë nga përdorimi i burimeve natyrore kundër Kosovës.
Ai ka theksuar se një veprim i tillë ndalohet nga kufizimet ndërkombëtare, përfshirë Konventën e UNECE-së për Mbrojtjen dhe Përdorimin e Rrjedhave Ujore Ndërkufitare dhe Liqeneve Ndërkombëtare të vitit 1992. Gjithashtu, sipas tij, kërcënimi do të kishte pasoja edhe për qytetarët serbë në veri, ndërsa Shtetet e Bashkuara e trajtojnë Ujmanin si çështje të sigurisë rajonale, bazuar në vlerësimin e Pacific Northwest National Laboratory, Water Resource Opportunities at Lake Gazivode/Ujmani, 14.04.2021. Në këtë kuadër, ndërthurja e kërcënimit presidencial me pretendimet për “keqtrajtim” tregon, sipas Fetoshit, avancimin e narrativës së “viktimizimit” në funksion të presionit për “Botën Serbe”.
Ndryshimi i qëndrimit të Vuçiqit, nga deklarata “ekziston ideja por unë jam kundër” (Danas, 01.12.2024) në pohimin “jemi duke mbledhur inxhinierë për të parë si mund ta bëjmë” (RT Balkan, 09.08.2026), sipas Fetoshit, tregon transformimin e komunikimit strategjik të Serbisë. Ai e lidh këtë zhvillim me deklaratat e ministres Paunoviq, “heroizimin” e kriminelëve të luftës dhe arrestimin e një serbi, për të cilin dyshohet se ka dhënë informacione lidhur me varrezat masive.
Ideja e devijimit të Ibrit, që “do ta linte Ujmanin pa ujë”, kishte qarkulluar më herët në Serbi. Eksperti Lubisha Mijaçiq ka deklaruar se “Serbia ka mundësi teknike të devijimit” dhe se bëhet fjalë për një “kërcënim real” (Kosovo Online, 22.11.2025). Në të kundërt, profesori spanjoll i gjeografisë Miguel Borja Bernabe-Crespo e ka mohuar rrezikun, duke iu referuar detyrimeve që burojnë nga regjimi ndërkombëtar i ujërave ndërkufitare (REL, 05.12.2024).
Megjithatë, Fetoshi konsideron se ndikimi i llogaritur i kërcënimit, në kushtet e “varësisë” së Kosovës nga ky sistem, shpjegon formulimin hakmarrës drejtuar shqiptarëve dhe përpjekjen për ta paraqitur konfliktin mbi baza etnike. Në këtë rast, “mbrojtja e serbëve” shërben si premisë për legjitimimin e kërcënimit.
Sipas tij, strategjia e “viktimizimit” synon ta portretizojë Kosovën si “represive” dhe ta paraqesë Perëndimin si “bashkë-përgjegjës”, duke përgatitur terrenin për fazën e avancuar të “të drejtës së Serbisë për reagim”.
Fetoshi ka deklaruar se radikalizimi i diskursit shovinist pas qëndrimeve të ministres Paunoviq, mbështetjes së saj nga Daçiq dhe “heroizimit” të kriminelëve të luftës e të arrestuarve lidhur me Masakrën e Reçakut, e bën kërcënimin për Ibrin zgjatim të mesazhit të Vuçiqit në ceremoninë përkujtimore të operacionit “Stuhia”. Në atë ceremoni, Vuçiq deklaroi se “Serbia është mjaftueshëm e fuqishme për mbrojtjen e serbëve” (Insajder, 04.08.2026).
Ai ka paralajmëruar se normalizimi i gjuhës së dhunës, spastrimit etnik dhe “ndëshkimit” të shqiptarëve synon jo vetëm të kalkulojë “tolerimin” e mëtejshëm të Serbisë në pozicionin e “dy karrigeve” dhe përfitimin e Vuçiqit në planin e brendshëm, por edhe të legjitimojë “Botën Serbe” si kamuflim të projektit të Millosheviqit. “Kjo është strategjia hibride e Serbisë në formën e saj të avancuar. Nuk është e domosdoshme ndërhyrja ushtarake, derisa qëllimet minuese mund të arrihen përmes ujit, energjisë, sabotimit, spiunazhit dhe dezinformimit. Në këtë perspektivë, kërcënimi i Ibrit është leva strategjike, ndërsa Ujmani kërcënim ndaj sigurisë kombëtare”, ka thënë Fetoshi.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka deklaruar se do të kërkojë kompensim financiar nga Irani për…
Banorët në Orikum janë mbledhur këtë të hënë në protestë para Qendrës Administrative, duke kërkuar rikthimin e Orikumit si bashki.…
Temperaturat e sipërfaqes së oqeaneve në korrik arritën nivelin më të lartë të regjistruar ndonjëherë për këtë muaj, ndërsa zhvillimi…
Kryetari i Komisionit për Politikë të Jashtme dhe Bashkëpunim Ndërparlamentar në Parlamentin ukrainas, Oleksandr Merezhko, thotë se në Ukrainë ka…
Policia e Kosovës ka vazhduar me pajisjen e njësive të saj me automjete të reja, me qëllim të rritjes së…
Tridhjetë autobusët e parë elektrikë pritet të arrijnë në vend në dhjetor ose janar, ndërsa furnizimi i gjithsej 150 pritet…