Arben Fetoshi, drejtor i Institutit për Studime të Luftës Hibride “Octopus”, ka vlerësuar se Serbia po e përdor simbolikën e Vidovdanit si instrument të luftës hibride dhe si mekanizëm për përhapjen e narrativave nacionaliste dhe hegjemone kundrejt Kosovës.
Në një analizë të publikuar në Facebook, Fetoshi ka thënë se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, po vijon ta vendosë historinë dhe simbolet kombëtare në funksion të objektivave politike dhe strategjike.
None found
“Vidovdani nuk është një përvjetor historik apo fetar, por është kthyer në ritual të thirrjeve për konflikt e dhunë. Në strategjinë hibride të pas Millosheviqit, Vidovdani është mekanizmi që ushqen narrativat manipuluese për ‘Botën Serbe’: viktimizimin, tokën e ‘shenjtë’ dhe agresionin e Perëndimit”, ka shkruar Fetoshi.
Sipas tij, leximet nacionaliste të Betejës së Kosovës janë shfrytëzuar ndër vite për mobilizim politik dhe për nxitjen e pretendimeve territoriale ndaj Kosovës.
“Sakralizohet, që të mos negociohet. Me shenjtërinë nuk bëhet kompromis. Në Bruksel shkohet për ta fituar ‘konstruktivitetin’, por s’mund të pranohet realiteti ‘tokësor’ me Republikën e Kosovës”, ka theksuar ai.
Fetoshi ka nënvizuar gjithashtu se narrativa e viktimizimit është përdorur për t’iu shmangur përgjegjësisë për krimet e kryera gjatë luftërave në ish-Jugosllavi, si edhe për të mobilizuar opinionin publik në Serbi.
“Në këtë kuadër, viktimizimi është strategji për shmangien e përgjegjësisë lidhur me krimet e luftës në Kosovë dhe propagandë për mobilizim emocional, e certifikuar përmes klerit fetar”, ka deklaruar ai.
Ai ka kritikuar edhe narrativat që, sipas tij, kanë për synim relativizimin e krimeve të luftës dhe delegjitimimin e institucioneve të Kosovës.
“Pretendimet për represion e terror ndaj ‘popullit serb’ dhe për ‘krimet’ e UÇK-së gjatë luftës që ‘nuk hetohen qëllimisht’, synojnë demonizimin e Republikës së Kosovës, mashtrimin e opinionit ndërkombëtar dhe pengimin e integrimit të komunitetit serb”, ka shkruar ai.
Sipas drejtorit të Institutit “Octopus”, simbolika e Vidovdanit vazhdon të shfrytëzohet edhe për nevoja të politikës së brendshme në Serbi, përmes mobilizimit politik dhe ushqimit të narrativave për “padrejtësinë” ndaj Serbisë.
“Në lojën e pushtetit, Vuçiq shërbehet me simbolikat e krenarisë, fuqisë dhe zhvillimit ekonomik. Organizon aktivitete dhe liturgji frymëzuese para Vidovdanit, mobilizon mbështetje elektorale në Beograd dhe demonstron sisteme të reja luftarake më 28 qershor”, ka theksuar Fetoshi.
Në përmbyllje, ai ka argumentuar se Vidovdani nuk duhet parë vetëm si përkujtim historik apo fetar, por si pjesë e një strategjie më të gjerë të luftës hibride.
“Derisa Kosova të trajtohet si mit dhe nuk pranohet si realitet, Vidovdani do të mbetet rituali i këmbanave të luftës në Ballkan”, ka përfunduar Fetoshi.
Gjithçka është gati për supersfidën mes Kolumbisë dhe Portugalisë, ku do të vendoset pozita e parë në grup.Dy përfaqësueset kanë…
Ministrja në detyrë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Fitore Pacolli, ka njoftuar se ka nisur zyrtarisht pranimi i mbeturinave…
Ministrja në detyrë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Fitore Pacolli, ka njoftuar se ka nisur zyrtarisht pranimi i mbeturinave…
Që para fillimit, Botërori 2026 u përball me një valë kritikash. Turneu me 48 kombëtare, tri shtete organizatore, 16 qytete…
Protestuesit po vijojnë marshimin rrugëve të kryeqytetit, duke kërkuar largimin e Kryeministrit Edi Rama. Gjatë marshimit ata u kanë bërë…
Dashi Sot do afroheni me shume se kurrë me atë qe keni ne krah dhe do flisni edhe për disa…