Arben Fetoshi, drejtor i Institutit për Studime të Luftës Hibride “Octopus”, ka reaguar në Facebook për letrën e presidentit serb Aleksandar Vuçiq drejtuar sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte. Në këtë letër, Vuçiq ka kërkuar nga KFOR-i që të mos lejojë hapjen e Urës së Ibrit.
None found
Fetoshi e ka cilësuar këtë veprim si një përpjekje të dëshpëruar të Beogradit për ta ruajtur urën si simbol politik të ndarjes dhe për ta paraqitur si kërcënim një zhvillim që NATO e konsideron përmirësim të sigurisë.
“Letra e Aleksandar Vuçiqit drejtuar Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, me të cilën paska kërkuar që KFOR-i të ndalë hapjen e Urës së Ibrit, është përpjekje e frustruar e Serbisë për ta ruajtur kuptimin politik të saj si simbol i ndarjes dhe për ta kornizuar si kërcënim, pikërisht atë që NATO e vlerëson përmirësim të sigurisë”, ka shkruar Fetoshi.
Sipas tij, vendimi i NATO-s, i cilësuar si “progres konkret” për garantimin e lirisë së lëvizjes, rrëzon në mënyrë të rëndësishme narrativën për një “Kosovë represive”. Ai shtoi se ky zhvillim e bën të pakthyeshme çështjen e stabilitetit, sundimit të ligjit dhe lëvizjes së lirë të qytetarëve, automjeteve, mallrave dhe ideve në veri.
Fetoshi vlerëson se pretendimet për “sulme sistematike dhe spastrim etnik” ndaj serbëve në Kosovë janë çmontuar dhe po humbin gjithnjë e më shumë peshën si “argument” për strategjinë e destabilizimit në veri.
“Ballafaqimi shqiptaro-serb” në veri ekziston vetëm në retorikën e Vuçiqit dhe të strukturave të tij shtetërore e paramilitare, ka theksuar ai. Sipas Fetoshit, Kosova ka ndërtuar dhe vënë në funksion dy ura mbi lumin Ibër, të cilat kanë mundësuar komunikim, zhvillim dhe normalizim.
Ai e ka konsideruar absurd dhe instrumental pretendimin se qarkullimi i automjeteve mbi urën kryesore do të rrezikojë sigurinë, duke thënë se ky argument shërben për ruajtjen e ndarjes në funksion të synimeve hegjemoniste.
“Vuçiq e paska përmendur edhe sigurinë rajonale. Por, para se ta lidhë atë me lirinë e lëvizjes së automjeteve mbi një urë, ai duhet ta kujtojë se strukturat kriminale dhe ilegale që bllokonin rrugët e sulmonin qytetarët dhe institucionet në veri, nuk kanë kaluar nga ura”, ka shkruar Fetoshi.
Ai ka shtuar se as sulmuesit e KFOR-it, të cilët plagosën mbi 90 ushtarë, nuk kanë kaluar nga ura. Sipas tij, përmes urës nuk kanë kaluar as personat që kanë sulmuar gazetarët, qytetarët dhe institucionet vendore e ndërkombëtare.
Fetoshi ka theksuar gjithashtu se planifikuesit, organizatorët dhe sulmuesit terroristë në Banjskë nuk e kanë përdorur urën as kur janë larguar për t’u strehuar në Serbi. Po ashtu, ai tha se armatimi i sofistikuar me vlerë miliona eurosh, i sekuestruar në veri, nuk ka kaluar nga ura.
“Sulmuesit e kanalit të Ibër-Lepencit, nuk kanë kaluar nga ura. Rrjetet e kontrabandës së mallrave, drogës dhe emigrantëve që operonin përgjatë kufirit, nuk kalonin përmes urës dhe presioni sistematik ndaj serbëve të Kosovës nga Beogradi dhe strukturat ilegale, nuk kalon përmes urës”, ka deklaruar ai.
Për këtë arsye, sipas Fetoshit, ura nuk përbën problemin real të Vuçiqit. Problemi, ka thënë ai, është infrastruktura e destabilizimit, e cila ndër vite është ushqyer me simbolikën e “ndarjes” mbi Ibër.
“Strategjisë së tij i duhet të projektojë tensione, sepse tensionet e mbajnë gjallë narrativën e “serbëve të kërcënuar”. I duhet ndërhyrja, në mënyrë që bashkë me rrethin e tij të përfitojë miliona euro, të cilat kinse i ndan për serbët e Kosovës, ndërsa i shfrytëzon për interesat e tij”, ka shkruar Fetoshi.
Sipas tij, në këtë skemë përfshihet edhe roli i “heroit” të Vuçiqit, Milan Radoiçiq, si dhe i strukturave që kanë vepruar në veri.
Fetoshi ka vlerësuar se NATO nuk ka nevojë për letrat e Vuçiqit për të kuptuar origjinën e kërcënimeve të sigurisë në veri. “NATO e din kush i ka sulmuar ushtarët e saj, e din po ashtu çfarë ka ndodhur në Banjskë. Ajo e ka të qartë se çfarë arsenali armësh është kapur dhe e din kush i ka përdorur tensionet në veri si instrument politik”, ka shkruar ai.
“Prandaj, me letra të tilla Vuçiq vetëm sa e shpërfaq strategjinë perfide të “viktimizimit si paralajmërim”, duke e paraqitur normalizimin si kërcënim, lirinë e lëvizjes si rrezik dhe integrimin e veriut si “terror ndaj serbëve””, ka përfunduar Fetoshi.
Liverpooli ka shprehur interesim për transferimin e Endrickut nga Real Madridi, por sulmuesi brazilian nuk ka ndërmend të largohet nga…
Ish-deputeti Ervin Salianji ka reaguar ashpër pas një incidenti të ndodhur në Pustec gjatë vizitës zyrtare të kryeministrit të Maqedonisë…
Drejtori i Institutit për Studime të Luftës Hibride “Octopus”, Arben Fetoshi, në një reagim në Facebook, ka thënë se letra…
Për vdekjen e punëtorit të KEK-ut, Arbenit Ahmeti, 32-vjeçar, Prokuroria Themelore e Prishtinës, ka ndaluar një person me inicialet A.K.,…
Një vajzë 4-vjeçare ka humbur jetën gjatë natës në Spitalin Pediatrik në Palermo të Italisë, ndërsa dyshimet e para të…
Pas përfundimit të fjalimeve të mbajtura përpara godinës së Kryeministrisë, protestuesit kanë nisur marshimin përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, për…