Analisti politik Faton Mehmeti vlerëson se mosfunksionalizimi i institucioneve në Kosovë po shkakton pasoja të ndjeshme në politikë, ekonomi dhe marrëdhëniet ndërkombëtare. Sipas tij, vonesa në krijimin e institucioneve po dëmton pozicionin e vendit dhe po frenon zhvillimin e tij.
Të lidhura
None found
“Mosformimi i institucioneve po sjell pasoja në shumë drejtime, veçanërisht në rrafshin politik. Kosova po përballet me ngecje në sigurimin e njohjeve të reja, në përfaqësimin në forumet ndërkombëtare dhe në përfshirjen në iniciativat e reja evropiane”, ka deklaruar Mehmeti për ‘Bota sot’.
Ai thekson se mungesa e një strukture të plotë institucionale ndikon edhe në mënyrën se si perceptohet Kosova nga shtetet që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e saj.
“Përballë vendeve që duhet të vendosin për njohjen e Kosovës, shteti ynë krijon përshtypjen e një vendi të pasigurt, të paqëndrueshëm dhe politikisht të papjekur. Kjo e zvogëlon mundësinë e njohjeve të reja, për të cilat Kosova ka nevojë”, është shprehur analisti politik.

Sipas Mehmetit, pasojat janë veçanërisht të rënda në ekonomi, pasi mungesa e institucioneve funksionale kufizon mundësinë e Kosovës për të përfituar nga mbështetja dhe bashkëpunimi ndërkombëtar.
“Situata ekonomike është edhe më problematike, pasi fondet e Bashkimit Evropian nuk mund të sigurohen në nivelin e nevojshëm për Kosovën. Po ashtu, vendi nuk është në gjendje të negociojë marrëveshje të rëndësishme tregtare me shtetet me të cilat ka nevojë të bashkëpunojë”, ka thënë ai.
Analisti ka nënvizuar se zvarritja e formimit të institucioneve prek drejtpërdrejt investimet dhe projektet që lidhen me zhvillimin e vendit.
“Financimi i zhvillimit ekonomik, investimet dhe shumë procese të tjera varen nga funksionimi i rregullt i institucioneve. Çdo vonesë në krijimin e tyre i shton dëmet që Kosova pëson në planin politik, ekonomik dhe ndërkombëtar”, ka përfunduar Faton Mehmeti.
