Dorëheqjet e gjyqtarëve serbë mbeten pa vendim, ekspertët kërkojnë respektimin e procedurave ligjore

Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) nuk arriti të shqyrtojë dorëheqjet e gjyqtarëve serbë, pasi mbledhja e parashikuar dështoi për shkak të mungesës së kuorumit.

Të lidhura

None found

Tre anëtarë e bojkotuan takimin pas mosmarrëveshjeve për rendin e ditës, në të cilin ishte përfshirë edhe krijimi i komisioneve të përhershme të Këshillit.

Çështja buron nga largimi i përbashkët i rreth 130 gjyqtarëve, prokurorëve dhe punonjësve administrativë serbë prej institucioneve të Kosovës në nëntor të vitit 2022.

Ekspertët juridikë theksojnë se gjyqtarët dhe prokurorët që dhanë dorëheqje nuk mund të rikthehen vetvetiu në detyrë. Sipas tyre, ky akt sjell pasoja juridike, ndaj çdo hap duhet të ndërmerret duke zbatuar procedurat e përcaktuara me ligj.

Ata vlerësojnë se një rikthim i mundshëm mund të shqyrtohet vetëm përmes procedurave të rregullta, përfshirë konkursin. Çdo vendim, sipas ekspertëve, duhet të ketë mbështetje ligjore dhe të garantojë sigurinë juridike e funksionimin e shtetit të së drejtës.

Halilaj: Dështimi i mbledhjes dëshmon probleme serioze institucionale

Image

Avokati Gazmend Halilaj ka thënë për “Bota sot” se pamundësia për ta zhvilluar mbledhjen e KGJK-së përbën një shenjë shqetësuese për mënyrën se si po funksionon sistemi i drejtësisë.

Sipas tij, kjo situatë dëshmon se drejtësia po përballet me sfida të rënda institucionale, të cilat duhet të kapërcehen me përgjegjësi dhe në përputhje me ligjin. Halilaj ka nënvizuar se KGJK-ja është e detyruar, si nga Kushtetuta ashtu edhe nga ligji, të funksionojë pa pengesa dhe t’i marrë vendimet në kohë, sidomos kur bëhet fjalë për çështje që ndikojnë në funksionimin normal të gjyqësorit.

Duke iu referuar dorëheqjeve të gjyqtarëve dhe stafit të komunitetit serb, ai ka vlerësuar se vonesa e gjatë në trajtimin e tyre ka krijuar pikëpyetje të rëndësishme juridike dhe institucionale.

Halilaj ka shpjeguar se dorëheqja, si një veprim individual, në parim sjell pasoja juridike. Megjithatë, sipas tij, mungesa e reagimit për një kohë të gjatë nga organi përgjegjës prodhon pasiguri juridike dhe dëmton parimin e administrimit të mirë të drejtësisë.

Ai ka shtuar se, nëse vërtetohet se gjyqtarët e kanë lënë detyrën dhe nuk e kanë ushtruar funksionin për një periudhë të gjatë, KGJK-ja mund të shqyrtojë masa disiplinore ose shkarkimin e tyre, nëse përmbushen kriteret ligjore. Një veprim i tillë, sipas tij, duhet të ndërmerret në pajtim me legjislacionin në fuqi dhe vetëm pasi të jenë zbatuar të gjitha procedurat përkatëse.

Avokati ka theksuar se vendimmarrja duhet të bazohet në ligj, të sigurojë të drejtën për procedurë të rregullt dhe të respektojë standardet kushtetuese. Vetëm në këtë mënyrë, sipas tij, vendimi mund të mbetet i qëndrueshëm dhe të mbrohet përballë çdo kundërshtimi të mundshëm.

Në përfundim, Halilaj ka deklaruar për “Bota sot” se shteti i së drejtës kërkon që institucionet të mos lejojnë krijimin e vakuumeve të gjata institucionale. Ai ka kërkuar që çështjet të trajtohen në kohë dhe me profesionalizëm, pasi vetëm kështu mund të ruhet besimi i qytetarëve te drejtësia dhe të garantohet funksionimi efikas i institucioneve të Republikës së Kosovës.

Burjani: Rikthimi nuk mund të bëhet pa konkurs të ri

Njohësi i çështjeve juridike, Blerim Burjani, ka deklaruar për “Bota sot” se gjyqtarët dhe prokurorët e dorëhequr nuk mund të kthehen në sistemin e drejtësisë pa iu nënshtruar procedurave që parashikon ligji.

Sipas Burjanit, nuk ekziston bazë ligjore për rikthimin e tyre. Ai ka shpjeguar se dorëheqja konsiderohet largim vullnetar dhe se kontrata e ndërprerë nuk mund të ripërtërihet automatikisht.

Ai ka vlerësuar se do të ishte e paligjshme që kthimi të realizohej sikur dorëheqja të mos kishte ndodhur. Sipas tij, kjo çështje nuk duhet parë nga këndvështrimi politik, por duhet trajtuar në aspektin ligjor dhe kontraktues.

Image

Burjani ka theksuar se rikthimi nuk mund të ndodhë pa një konkurs të ri. Vetëm pas aplikimit, sipas tij, mund të vlerësohet nëse ish-gjyqtarët dhe ish-prokurorët duhet të pranohen sërish apo nëse duhen përzgjedhur gjyqtarë dhe prokurorë të rinj serbë nga komuniteti serb.

Ai ka kritikuar gjithashtu reagimin e Bashkimit Evropian për këtë rast, duke e cilësuar të çuditshëm, të pakuptimtë dhe të papajtueshëm me parimet ligjore.

Burjani ka thënë se rendi dhe ligji nuk lidhen me politikën. Sipas tij, nëse persona do të jepnin dorëheqje në gjykatat e vendeve të BE-së, ata nuk do të riktheheshin automatikisht dhe, në asnjë variant, as përmes konkursit.

Në përmbyllje të prononcimit për “Bota sot”, ai ka theksuar se ndërprerja vullnetare e kontratës sjell pasoja shumë serioze juridike, pavarësisht motiveve që kanë çuar në një vendim të tillë.


Shtuar 30.07.2026 10:22

holiganbetJojobetHoliganbet girişGrandpashabetGrandpashabetGrandpashabetGrandpashabetcasibomJojobetcasibomjojobetjojobetcratosroyalbetcasibommatbetsultanbeyli escortiptv satın algrandpashabetGrandpashabetcasibomjojobet