Cameron për 24 shtatorin: Duhet të tregojmë zhgënjim për Qeverinë e Serbisë

Ministri i Jashtëm i Britanisë së Madhe, David Cameron, në Komitetin e Punëve të Jashtme, ka folur edhe për marrëdhëniet Kosovë – Serbi, sulmin e 24 shtatorit dhe sulmin ndaj politikanit serb, Nikola Sanduloviq.

I pyetur nga deputetja Alicia Kearns për opinionin e tij për gjendjen pas sulmit terrorist serb të 24 shtatorit në veri të Kosovës, Cameron ka deklaruar se e kanë të qartë atë çfarë ka ndodhur dhe rrezikun që ka pasur ky sulm, përcjellë RTKlive.

“E kemi shumë të qartë pamjen se çfarë ka ndodhur atë ditë. Pikëpamja ime është që sulmi në Banjska ka mundur të jetë një ngjarje tepër e rrezikshme. Nëse shikojmë te sasia e armëve që ishin sjellë në Kosovë dhe numrin e njerëzve, nëse ky grup nuk do të ishte ndalur nga operacioni i Policisë së Kosovës, do të kishte një varg sulmesh në stacionet e Policisë së Kosovës, do të kishte barrikada nëpër rrugë. Ata nuk kishin thjeshtë armë, ata ishin të pajisur me pajisje shumë të rënda”, ka thënë ai.

Tutje Cameron ka deklaruar se duhet treguar zhgënjim ndaj Qeverisë së Serbisë për këtë akt agresioni.

“Ne pozicionin tonë (Britanisë së Madhe, v.j.), duhet të jemi të qartë në qëndrimin dhe politikat tona. Ne duhet të tregojmë zhgënjim më të madh për Qeverinë e Serbisë. Duhet t’i pyesni vetë BE-në dhe SHBA-në nëse ato janë të zhgënjyera me Serbinë. Nuk e di nëse e kanë, por nga bisedat që kam pasur, ka zhgënjim”, ka deklaruar Cameron, përcjellë RTKlive.

Tutje kryediplomati britanik e ka ndërlidhur sulmin ndaj veriut të Kosovës me dëshirat e Rusisë për të qenë prezentë në formë politike në Ballkanin Perëndimor.

“Qëndrimi sa i përket Kosovës dhe Ballkanit Perëndimor është formësuar para agresionit rus në Ukrainë dhe duhet të mendojmë shumë se çfarë ka ndryshuar sepse Rusia dëshiron që ta destabilizoj Ballkanin dhe ne duhet të vazhdojmë duke e parë se çka mund të bëjmë”, ka deklaruar ai.

Ndërkaq kur është pyetur për sulmin që ka pësuar opozitari serb, Nikola Sanduloviq, nga Shërbimi inteligjent serb (BIA) ditë më parë pas vizitës në varrezat e familjes Jashari, Cameron ka thënë se po presin grumbullimin e fakteve, përcjellë RTKlive.

“Jemi të vetëdijshëm nga raportimet për Sanduloviqin. Po presim më shumë informacione. Është shumë shqetësuese. Por duam që t’i kemi të gjitha faktet e plota para se të reagojmë”, ka thënë diplomati britanik.


Shtuar 9.01.2024 21:14