Pas opinionit që Qeveria dha mbrëmë, Kuvendi mund të vijojë shqyrtimin e Projektligjit për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara. Kështu ka vlerësuar hulumtuesi i KDI-së, Eugen Cakolli.
Të lidhura
None found
Sipas tij, përfundimi i procedurës deri më 6 tetor, datë që lidhet edhe me afatin për çështjen e presidentit, është shumë i vështirë nëse respektohen afatet e Rregullores së Kuvendit.
Cakolli ka shpjeguar se Qeveria kishte deri në 30 ditë nga pranimi i projektligjit për të dhënë mendimin e saj. Fakti që opinioni u dorëzua vetëm mbrëmë ka lënë më pak kohë për shqyrtimin dhe miratimin e tij.
Procedura e zakonshme për miratimin e një ligji kërkon disa javë, ka theksuar ai, ndonëse Kuvendi mund të përdorë mekanizma për t’i përshpejtuar hapat dhe për t’i shkurtuar afatet procedurale.
Meqë deputetët i morën sot, më 3 tetor, materialet e plota të projektligjit, Komisioni për Legjislacion mund ta shqyrtojë atë në parim që sot, nëse kryetarja e Kuvendit e cakton si komision përgjegjës. Shqyrtimi i parë në seancë, sipas Cakollit, mund të zhvillohet më së herëti të hënën, më 5 tetor.
Ai ka shkruar se, pas miratimit në parim, projektligji i kthehet komisionit për shqyrtimin e dispozitave dhe të amendamenteve të mundshme, ndërsa duhet të shqyrtohet edhe nga komisionet e përhershme. Duke respektuar afatin minimal prej 72 orësh për këtë fazë, shqyrtimi i dytë dhe miratimi përfundimtar mund të bëhen më së herëti më 8 tetor.
Cakolli ka nënvizuar se përshpejtimi i procedurave nuk i heq afatet minimale dhe se çdo hap duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën. Nga shpërndarja e materialeve deri te shqyrtimi i parë duhet të kalojnë të paktën 48 orë, ndërsa nga miratimi në parim deri te shqyrtimi i dytë të paktën 72 orë.
Ai ka kujtuar se Gjykata Kushtetuese ka shfuqizuar vendime për shmangie nga procedurat dhe për miratim ligjesh në rastet kur shkurtimi i afateve i kishte penguar deputetët dhe komisionet të bënin shqyrtim përmbajtësor.
Pas miratimit, ligji i dërgohet presidentit për shpallje jo më herët se tetë ditë nga miratimi. Presidenti, më pas, ka deri në tetë ditë për ta shpallur ose për ta kthyer atë, ka shtuar Cakolli.
Sipas tij, edhe nëse ligji miratohet në afate më të shkurtra se ato që lejon Rregullorja, ai gëzon prezumimin e kushtetutshmërisë derisa Gjykata Kushtetuese të vendosë ndryshe.
