Pas rizgjedhjes në krye të Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu do të vijojë të mbajë edhe funksionin e ushtrueses së detyrës së presidentit të Kosovës.
Të lidhura
None found
Legjislacioni kushtetues i Kosovës lejon që, në mungesë të presidentit, këtë rol ta ushtrojë kryetari i Kuvendit për një periudhë deri në gjashtë muaj.
Haxhiu mori detyrën e ushtrueses së presidentit më 4 prill 2026, ditën kur përfundoi mandati i presidentes Vjosa Osmani.
Afati gjashtëmujor i nisur më 4 prill skadon më 4 tetor. Sipas Vullnet Bugaqkut nga Instituti Demokratik i Kosovës [KDI], rizgjedhja e Haxhiut në postin e kryetares së Kuvendit nuk e nis nga e para këtë periudhë.
Duke folur për Radion Evropa e Lirë, Bugaqku tha se mandati i Haxhiut si ushtruese e detyrës së presidentit përfundon më 4 tetor.
“Pas kësaj date skadon afati i gjashtë mujor dhe ligjërisht i njëjti ose e njëjta nuk ka të drejtë që të funksionojë edhe si ushtrues i detyrës së presidentit për shkak se është në kundërshtim me nenin 90 paragrafin 3 të Kushtetutës së Kosovës”, tha ai.
Ai paralajmëroi se çdo dekret ose vendim i nxjerrë nga Haxhiu pas kësaj date do të ishte i cenueshëm në aspektin kushtetues dhe mund të rrëzohej nga gjykatat.
Bugaqku u bëri thirrje deputetëve që, që nga dita e konstituimit të Kuvendit, ta konsiderojnë si urgjencë afatin deri më 4 tetor dhe të punojnë për zgjedhjen e presidentit të ri.
Sipas tij, kalimi i këtij afati pa zgjedhjen e një presidenti të ri do të përbënte rrezik për sigurinë e shtetit.
“Për shtetin e Kosovës dhe për sistemin e kushtetuese parlamentar në Kosovë, kjo do të thotë një njollë shumë e keqe dhe një precedent i rrezikshëm që cenon edhe sigurinë kombëtare”, tha Bugaqku.
