Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK) e ka përshëndetur krijimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës, duke shprehur shpresën se mandati i ri do të forcojë bashkëpunimin mes institucioneve dhe partnerëve socialë.
Të lidhura
None found
Në emër të BSPK-së, kryetari Atdhe Hykolli ka uruar Qeverinë për konstituimin, prezantimin e kabinetit qeveritar dhe paraqitjen e Programit Qeverisës.
Sindikata ka vlerësuar si pozitive angazhimet që prekin gjendjen ekonomike e sociale të të punësuarve. Në këtë kuadër, ajo ka veçuar pagën e 14-të për punonjësit e sektorit publik dhe përjashtimin nga tatimi të pagës minimale prej 500 eurosh.
Megjithatë, BSPK ka nënvizuar se vlera e këtyre premtimeve do të përcaktohet nga mënyra se si ato do të zbatohen në praktikë.
“Për BSPK-në, rëndësia e këtyre zotimeve do të matet me zbatimin e tyre dhe me ndikimin real në jetën e të punësuarve”, thuhet në komunikatën e sindikatës.
BSPK ka kërkuar që gjatë ditëve të ardhshme të përmbyllet edhe konstituimi i Këshillit Ekonomiko-Social (KES), pasi funksionalizimin e këtij mekanizmi e konsideron të domosdoshëm për zhvillimin e dialogut social.
Sipas sindikatës, menjëherë pas vënies në funksion të KES-it duhet të hapen negociatat për Marrëveshjen e Përgjithshme Kolektive.
“Pikërisht aty duhet të shihet fuqia e dialogut social dhe jo vetëm në zotime dhe takime, por në marrëveshje të negociuara, të nënshkruara dhe të zbatueshme”, thekson BSPK.
Vlerësimi i kryetarit Hykolli është se një demokraci funksionale nuk kufizohet vetëm te ngritja e institucioneve, por kërkon edhe pjesëmarrjen e përfaqësuesve legjitimë të punëtorëve në hartimin e politikave publike.
“Ky është standardi evropian i partneritetit social dhe ky duhet të jetë edhe drejtimi ynë”, shprehet Hykolli.
BSPK ka bërë të ditur se është e gatshme të bashkëpunojë me institucionet, me synimin që dialogu social të sjellë përfitime dhe rezultate konkrete për punëtorët.
“Konkretizimi i KES-it dhe Marrëveshja e Përgjithshme Kolektive të bëhen dëshmia më e qartë se partneriteti social po funksionon në dobi të punëtorëve dhe të zhvillimit të vendit”, përfundon komunikata e BSPK-së.
