Rifillimi i ndërprerë i seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës ka thelluar edhe më tej ngërçin politik dhe institucional në vend.
None found
Kërkesa e Albin Kurtit, kreut të Lëvizjes Vetëvendosje, për më shumë kohë në funksion të një marrëveshjeje me forcat e tjera politike, ka sjellë sërish në qendër të diskutimit si mundësinë e një kompromisi ashtu edhe skenarin e një cikli të ri zgjedhor.
Tensionet u acaruan më tej pas veprimit të deputetes së Aleancës, Time Kadrijaj, e cila gjatë seancës së fundit hodhi vezë ndaj Kurtit, duke shtyrë kryesuesin Avni Dehari të thërrasë sigurimin.
Përplasjet e vazhdueshme mes partive dhe incidentet në sallë po ngjallin dyshime nëse palët do të gjejnë rrugë për shkrirjen e bllokadës institucionale apo nëse vendi po shkon drejt një raundi të ri votimesh.
Opinionisti Agim Vuniqi, në një prononcim për “Bota sot”, argumenton se kuorumi po kthehet në një armë të betejës politike, e jo në një parim kushtetues.
Ai vë në dukje një kontradiktë në qëndrimet e opozitës, e cila më parë ka bashkëpunuar edhe me Listën Serbe për të siguruar shumicat parlamentare.
“Paradoksi i politikës kosovare bëhet edhe më i dukshëm kur krahasohen qëndrimet e sotme me veprimet e së kaluarës. Të njëjtat parti që sot i shmangen një marrëveshjeje politike për tejkalimin e ngërçit rreth kuorumit për zgjedhjen e Presidentit, në të kaluarën nuk kanë hezituar të arrijnë marrëveshje politike me Listën Serbe për bashkëqeverisje. Po këto subjekte kanë siguruar kuorumin dhe votat e nevojshme me Listën Serbe edhe për themelimin e Dhomave të Specializuara, duke miratuar ndryshimet kushtetuese dhe ligjore në përputhje me legjislacionin që ishte në fuqi për periudhën për të cilën akuzohen ish-krerët e UÇK-së, përfshirë Hashim Thaçin dhe të tjerët.
Sot, megjithatë, po këto parti kërkojnë nga Lëvizja Vetëvendosje që jo vetëm të propozojë kandidatin për President, por edhe të sigurojë votat për zgjedhjen e tij, pa ofruar paraprakisht asnjë garanci politike për mbështetje.”
Sipas Vuniqit, një logjikë e tillë nuk përbën kompromis parlamentar, por ia lë tërë barrën e gjetjes së votave fituesit të zgjedhjeve.
“Në thelb, kërkesa është: “Propozoni kandidatin dhe pastaj gjeni vetë mënyrën për ta zgjedhur.” Kjo nuk është logjikë e kompromisit parlamentar, por transferim i plotë i përgjegjësisë te fituesi i zgjedhjeve, ndërkohë që opozita ruan të drejtën e bllokimit.
Në këtë kontekst, nuk duhet harruar se Vetëvendosje ka sinjalizuar gatishmëri për zgjidhje kompromisi, duke lënë të hapur mundësinë që posti i Kryetarit të Kuvendit ose ai i Presidentit të jetë pjesë e një marrëveshjeje konsensuale. Kjo nuk do të ishte hera e parë në praktikën kushtetuese të Kosovës. Rasti i zgjedhjes së Atifete Jahjagës dëshmoi se, pas ndërhyrjes së Gjykatës Kushtetuese lidhur me procesin e zgjedhjes së Presidentit në rastin Pacolli, kriza u tejkalua përmes një kompromisi politik ndërmjet forcave parlamentare.”
Opinionisti pranon se rrethanat e sotme ndryshojnë nga ato të mëparshmet, por këmbëngul se historia tregon që kompromisi politik mbetet një rrugë për funksionalizimin e institucioneve.
“Kjo nuk do të thotë se rrethanat e atëhershme dhe të sotmet janë identike. Përkundrazi, ato ndryshojnë si në aspektin politik, ashtu edhe në atë juridik. Megjithatë, precedenti tregon se në demokracitë parlamentare, kompromisi nuk është dobësi, por mekanizëm për funksionalizimin e institucioneve.
Prandaj, pyetja që shtrohet nuk është nëse duhet të ketë kompromis, por pse kompromisi konsiderohet i pranueshëm kur u shërben interesave të një pale, ndërsa refuzohet kur synon zhbllokimin institucional. Nëse marrëveshjet politike kanë qenë të pranueshme për formimin e qeverive, për sigurimin e shumicave parlamentare dhe për vendime me pasoja historike e kushtetuese, është e vështirë të argumentohet se ato janë të papranueshme vetëm në rastin e zgjedhjes së Presidentit.”
Në fund, ai paralajmëron se mungesa e konsistencës politike mund ta shndërrojë edhe kuorumin në mjet bllokues.
“Konsistenca është themeli i besueshmërisë politike. Pa të, standardet rrezikojnë të shndërrohen në standarde të dyfishta, ndërsa kuorumi nga një instrument kushtetues për garantimin e legjitimitetit shndërrohet në një mjet bllokues të konkurrencës politike. Pikërisht aty lind dilema themelore: a po mbrohet fryma e Kushtetutës, apo po përdoret procedura kushtetuese si instrument i luftës politike?”
Ndërkaq, profesori Nijazi Halili, gjithashtu për “Bota sot”, e sheh gjendjen aktuale si më shumë se një kontest procedural, duke e cilësuar si një krizë të thellë politike.
Halili thekson se partitë po e trajtojnë konstituimin e institucioneve si vazhdim të garës zgjedhore dhe i quan incidentet brenda Kuvendit shqetësuese dhe të papranueshme.
“Ndërprerja e përsëritur e seancës konstituive është tashmë më shumë se një mosmarrëveshje procedural, kjo është shndërruar në dëshmi të një krize të thellë politike dhe të mungesës së vullnetit për kompromis. Partitë politike po e trajtojnë konstituimin e institucioneve si vazhdim të betejës elektorale, ndërkohë që përgjegjësia e tyre kryesore është funksionalizimi i shtetit.
Edhe incidentet brenda Kuvendit janë shqetësuese dhe të papranueshme. Kur debati parlamentar zëvendësohet me veprime provokuese, tensioni politik kalon kufijtë e konkurrencës demokratike. Kjo dëmton autoritetin e Kuvendit dhe e thellon mosbesimin e qytetarëve ndaj politikës.”
Sipas tij, një marrëveshje politike mbetet e mundur, por ajo kërkon braktisjen e ultimatumeve dhe llogarive të ngushta.
“Marrëveshja politike është ende e mundshme, por ajo kërkon heqjen dorë nga ultimatumet, kalkulimet personale dhe logjika e fajësimit të vazhdueshëm të kundërshtarit. Nëse liderët politikë nuk janë në gjendje të prodhojnë kompromis institucional, atëherë zgjedhjet e reja nuk do të ishin befasi, por pasojë e drejtpërdrejtë e këtij dështimi politik.”
Halili nënvizon se përgjegjësia për shkrirjen e bllokadës bie mbi të gjitha subjektet politike, sidomos mbi ato që kanë marrë më shumë besim nga qytetarët.
“Kosova nuk mund të mbahet peng nga pazaret dhe konfliktet partiake. Institucionet nuk janë pronë e partive, por janë mekanizma të shtetit dhe u takojnë qytetarëve. Përgjegjësia për zhbllokimin e tyre bie mbi të gjitha subjektet politike, por veçanërisht mbi ato që kanë marrë mandatin më të madh nga qytetarët”, përmbylli Nijazi Halili për “Bota sot”.
Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, e ka cilësuar si “absurde”, “kërcënuese” dhe qasje “shoviniste” idenë e…
Mark Zuckerberg zgjodhi një mënyrë të pazakontë për të vijuar stërvitjen e tij në artet marciale, duke u përballur me…
Ministri i Jashtëm në detyrë, Glauk Konjufca, ka deklaruar se nuk beson se procesi aktual i konstituimit të Kuvendit po…
Instituti i Sigurisë së Inteligjencës Artificiale (IA) në Mbretërinë e Bashkuar (AISI), zbuloi se modeli më i avancuar i IA-së…
Një pjesë e humbur e një rakete SpaceX, që ka qenë duke lëvizur në orbitë me shpejtësi rreth 2.43 kilometra…
Drejtori ekzekutiv i Anthropic, Dario Amodei, dhe më shumë se 1,000 punonjës, disa prej të cilëve në pozicione drejtuese në…