Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka reaguar ndaj idesë së përsëritur nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për devijimin e rrjedhës së lumit Ibër, duke e cilësuar atë si “absurde”, “kërcënuese” dhe “shoviniste”.
None found
Gjatë Konferencës së Ambasadorëve të Kosovës, më 10 gusht, Haxhiu u bëri thirrje diplomatëve kosovarë që deklaratat e Vuçiqit t’ua përcjellin qeverive të vendeve ku janë të akredituar. Ajo kërkoi gjithashtu që kjo çështje të trajtohet në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë.
Sipas saj, çdo ndërhyrje në rrjedhën e Ibrit mund të ketë pasoja serioze për Kosovën, pasi ky lumë dhe infrastruktura ujore e lidhur me të janë thelbësore për vendin.
“Siç e dini, (kanali i ujitjes) Ibër-Lepenci dhe liqeni i Ujmanit janë pjesë e një sistemi jetik për furnizim me ujë, për energjinë, bujqësinë, dhe jetën e qindra, mijërave qytetarëve të Kosovës”, tha Haxhiu.
Haxhiu theksoi se shfrytëzimi i burimeve ujore për të ushtruar presion ndaj Kosovës nuk mund të pranohet.
“Duhet ta bëjmë të qartë se përdorimi i burimeve ujore si instrument presioni ndaj Kosovës është i papranueshëm dhe se ide të tilla që ringjallin qasje shoviniste dhe destabilizuese ndaj Kosovës duhet të marrin vëmendjen dhe reagimin e duhur ndërkombëtar”, u shpreh ajo.
Reagimi i saj erdhi një ditë pas deklaratave të Vuçiqit, i cili më 9 gusht tha se Serbia kishte nisur hapa konkretë për shqyrtimin e mundësisë së ndryshimit të rrjedhës së Ibrit. Ai i bëri këto komente gjatë një vizite në një punishte në Beograd.
“Ne tashmë kemi ftuar ekspertët që merren me këtë çështje, sektorin e ndërtimit, inxhinierë dhe të tjerë. Meqë po e maltretojnë kaq shumë popullin tonë, të shohim, kemi arsye të ndryshme për ndryshimin e rrjedhës së Ibrit, dhe pastaj do të shohim se çfarë do të bëjnë shqiptarët dhe si do të sillen”, deklaroi Vuçiq.
Të hënën, presidenti serb iu rikthye kësaj teme, duke pretenduar se nuk po kërcënon askënd dhe se po merret vetëm me rrjedhat ujore brenda territorit të Serbisë.
“Tani, natyrisht, shkencëtarët, inxhinierët dhe të gjithë të tjerët do të ulen, do ta shqyrtojnë çështjen dhe do të më propozojnë se si mund të realizohet kjo, dhe kaq. Unë nuk kam kërcënuar askënd. Nuk jam unë Kurti që t’i kërcënoj njerëzit. Nuk po kërcënoj askënd. Ne thjesht do të merremi me problemet tona. Ne kemi interesat tona dhe merremi me to”, tha Vuçiq për mediat, sipas citimit të agjencisë serbe Tanjug.
Çështja e ndryshimit të rrjedhës së Ibrit nuk është ngritur për herë të parë. Në dhjetor të vitit 2024, pas shpërthimit që dëmtoi kanalin Ibër-Lepenc në Zubin Potok, Vuçiq deklaroi se një ide e tillë ekzistonte që prej vitit 1985, me synim plotësimin e nevojave të popullsisë në Serbi.
Megjithatë, ai kishte deklaruar në atë kohë se vetë kishte qenë kundër realizimit të saj.
Me një gjatësi prej rreth 270 kilometrash, lumi Ibër buron në Mal të Zi, përshkon Serbinë dhe vazhdon në Kosovë, ku derdhet në liqenin artificial të Ujmanit. Dy të tretat e sipërfaqes së këtij liqeni ndodhen në territorin e Kosovës.
Sistemi i Ujmanit furnizon me ujë shtatë komuna, shërben për ujitje dhe përdoret për ftohjen e termocentraleve në Obiliq, të cilat prodhojnë pjesën më të madhe të energjisë elektrike në Kosovë.
Ekspertë të intervistuar më herët nga Radio Evropa e Lirë kanë vlerësuar se ndryshimi i rrjedhës së Ibrit është i realizueshëm nga ana teknike, por do të kërkonte kosto jashtëzakonisht të larta. Nëse një veprim i tillë do t’i shkaktonte dëme Kosovës, ai do të binte ndesh me parimet e së drejtës ndërkombëtare për ujërat ndërkufitare.
Serbia është nënshkruese e Konventës së Kombeve të Bashkuara të vitit 1997 për përdorimet jo-navigacionale të ujërave ndërkombëtare.
Kjo konventë përcakton, ndër të tjera, parimin e përdorimit të drejtë dhe të arsyeshëm të ujërave ndërkufitare, si dhe detyrimin për të mos u shkaktuar dëm të konsiderueshëm shteteve të tjera. Kosova nuk është palë e kësaj konvente, pasi nuk është anëtare e Organizatës së Kombeve të Bashkuara.
Deputeti i Aleancës, Burim Ramadani, ka reaguar lidhur me vazhdimin e bllokadës së Kuvendit. Ai e akuzuar Lëvizjen Vetëvendosjen për…
Komisioni Rregullator për Energjetikë ka vendosur uljen e çmimeve të derivateve të naftës, me vendim që hyn në fuqi nga…
Mbrëmjen e djeshme, gjatë festimit të madh në Ohër në kuadër të shënimit të 35-vjetorit të pavarësisë së Maqedonisë së…
Nuk kaloi në heshtje në Ukrainë largimi i banerit nga qendra e Prishtinës, pas vizitës së presidentit Volodymyr Zelensky në…
Evropa Perëndimore regjistroi periudhën më të nxehtë qershor-korrik, ndërsa ndryshimet klimatike po nxisin një verë me temperatura ekstreme, thatësirë dhe…
Një zjarr i ri shpërtheu mëngjesin e së hënës në juglindje të Athinës, ndërsa erërat e forta po favorizojnë përhapjen…