BE i beson Lajçakut, Aivo Orav emërohet ambasador i ri i BE në Kosovë

Këshilli i BE-së ka miratuar vendimin për vazhdimin e mandatit të të dërguarit special të BE-së për dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës dhe çështjeve të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor, Miroslav Lajçak, deri më 31 janar 2025.

Këshilli i BE-së miratoi një sërë vendimesh për zgjatjen e mandateve ekzistuese të tre të dërguarve të posaçëm të BE-së, duke përfshirë Lajçakun, si dhe emërimin e katër të dërguarve të rinj të posaçëm të BE-së, mes të cilëve janë përfaqësues të BE-së në Prishtinë dhe Bosnje-Hercegovinë.

Përfaqësuesi i ri special i BE-së në Prishtinë do të jetë diplomati estonez Aivo Orav, i cili do të marrë detyrën më 1 shtator 2024, për një periudhë fillestare prej dy vitesh.

Orav, i cili në deklaratën e Këshillit të BE-së përshkruhet si një diplomat estonez me përvojë të madhe në BE në një gamë të gjerë pozitash, do të pasojë Tomas Suniog, i cili është shef i Zyrës së BE-së në Prishtinë që nga viti 2020.

Orav aktualisht është përfaqësues i përhershëm i Estonisë në BE, ndërsa më parë ka qenë kryetar i delegacioneve të BE-së në Mal të Zi dhe Maqedoninë e Veriut.


Shtuar 26.07.2024 16:37

Tags: , ,