Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) njoftoi të premten në mbrëmje se ka vendosur të largojë nga tregu 12 produkte të Qumështores Vita. Sipas agjencisë, analizat kanë zbuluar praninë e vajit të palmës, qumështit pluhur dhe/ose niseshtes, të cilat nuk ishin deklaruar.
Të lidhura
None found
Vendimi i AUV-së u bë publik disa orë pasi Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI) kishte njoftuar për tërheqjen e disa produkteve të qumështit nga kompani të tjera, pa përfshirë në atë njoftim kompaninë Vita. Ndërkohë, Qumështorja Vita publikoi rezultate që, sipas saj, dëshmonin se qumështi i saj nuk përmban vaj palme.
MINTI, në një njoftim të dërguar në orën 20:00, tha se inspektimi për produktet e kompanisë “Abrazen-Vita” ende nuk kishte përfunduar. Ky njoftim u publikua pak më shumë se dy orë para komunikatës së veçantë të AUV-së.
AUV bëri të ditur se problemet kryesore janë evidentuar te produktet e deklaruara si qumësht.
“Katër mostra të katër produkteve të shitura, prezantuara dhe deklaruara si qumësht kanë rezultuar jokonforme: dy me prani të vajit të palmës dhe dy me prani të qumështit pluhur, të padeklaruara për konsumatorin. Këto produkte kanë dalë nga i njëjti objekt dhe aktivitet i aprovuar për prodhimin dhe përpunimin e qumështit”, njoftoi AUV-ja.
Gjatë inspektimit, agjencia, e cila funksionon në kuadër të Ministrisë së Bujqësisë, identifikoi gjithashtu 26 produkte me përmbajtje bimore të prodhuara “jashtë fushëveprimit të aprovimit të operatorit”. Për këtë arsye, prodhimi i tyre është ndaluar deri në pajisjen me aprovimin përkatës nga AUV-ja.
Masat e vendosura përfshijnë tërheqjen nga tregu të 12 produkteve jokonforme, forcimin e mbikëqyrjes dhe ritestimin e vazhdueshëm të linjës së qumështit. Po ashtu, është ndaluar prodhimi i 26 produkteve jashtë aprovimit, paraqitja mashtruese e produkteve dhe lëshimi i certifikatave veterinare deri në eliminimin e mospërputhjeve.
MINTI njoftoi ndërkaq se ka urdhëruar nëntë kompani të pezullojnë përpunimin dhe paketimin e produkteve që përmbajnë yndyrë me origjinë bimore, si dhe t’i tërheqin ato nga tregu.
Para vendimit për largimin e produkteve, Qumështorja Vita kishte publikuar në rrjetet sociale rezultate të AUV-së, të cilat kompania i interpretoi si konfirmim se produktet e saj nuk kanë vaj palme.
Inspektimet e MINTI-t në sektorin e qumështit nisën më 6 gusht. Ministria kishte paralajmëruar masa ndëshkuese dhe tërheqje të produkteve në rastet kur etiketat përmbanin deklarime të pasakta ose nuk tregonin përdorimin e qumështit pluhur, vajit të palmës apo përbërësve të tjerë.
Kontrollet u ndërmorën pasi AUV-ja, më 4 gusht, publikoi rezultatet e analizave, sipas të cilave rreth 20 për qind e mostrave të produkteve të qumështit të analizuara në Kosovë nuk përputheshin me përbërësit e deklaruar në etiketa.
Pjesa më e madhe e këtyre mospërputhjeve lidhej me zbulimin e vajit të palmës, i cili nuk ishte deklaruar në etiketat e produkteve.
Rezultatet e AUV-së erdhën pas një kontrolli të përgjithshëm që zgjati rreth 3 muaj.
Çështja e sigurisë së produkteve të qumështit u bë më e debatueshme në fillim të korrikut. Më 2 korrik, inspektorët e AUV-së kontrolluan fabrikën e Vita-s në Istog dhe morën mostra të qumështit me afat të gjatë përdorimi, qumështit pluhur dhe vajit të palmës për analiza laboratorike.
Ndërsa priste rezultatet përfundimtare, kompania e pezulloi përkohësisht aktivitetin. Ky vendim shkaktoi përplasje mes drejtuesve të kompanisë dhe ministrit në detyrë të Bujqësisë, Armend Muja.
Drejtuesit e kompanisë e cilësuan kontrollin si selektiv dhe akuzuan ekzekutivin se po i trajtonte “sikur të ishin kriminelë”.
Në listën e rezultateve të publikuara nga AUV-ja gjatë konferencës së 4 gushtit ishin edhe disa mostra të kompanisë Abrazen, e cila është kompania amë e Qumështores Vita. Në atë listë thuhej se në mostrën e deklaruar si “qumësht” ishte zbuluar vaj palme, por ai nuk ishte shënuar në etiketë.
Pas publikimit të këtyre gjetjeve, Vita mohoi që qumështi i saj të përmbajë vaj palme.
Legjislacioni aktual në Kosovë nuk përcakton një kufi të veçantë për sasinë e vajit të palmës që mund të përdoret në produktet ushqimore dhe në ato të qumështit.
Sipas një rregulloreje të Bashkimit Evropian, produktet e qumështit janë ato që përftohen nga qumështi dhe në prodhimin e të cilave nuk është shtuar ndonjë substancë që zëvendëson përbërës të qumështit.
Po ashtu, emërtimet “djathë”, “kos” dhe “gjalpë” u rezervohen vetëm produkteve të prodhuara nga qumështi. Këto terma nuk mund të përdoren për produkte ku janë shtuar yndyra bimore për të zëvendësuar yndyrat shtazore të qumështit. / REL
