Gjatë auditimit për vitin 2025 në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), Zyra Kombëtare e Auditimit ka identifikuar disa parregullsi që lidhen me administrimin e kontratave, zhvillimin e procedurave të prokurimit dhe menaxhimin e stafit diplomatik.
Një nga çështjet e veçuara në raport ka të bëjë me një kontratë për këshillim dhe përfaqësim ligjor në Ambasadën e Kosovës në Berlin. Sipas auditorëve, për këtë angazhim me tarifë 300 euro për orë pune nuk ishte caktuar menaxher i kontratës. Ndërkohë, në një rast tjetër, Konsullata e Përgjithshme në Frankfurt kishte kryer pagesë prej 39,181 eurosh për shërbime juridike, edhe pse nuk posedonte dëshmi të mjaftueshme që do të vërtetonin përputhjen mes orëve të faturuara dhe punës së realizuar. Në raport thuhet se mungonin dokumente të tilla si evidenca të hollësishme për orët e punës dhe raportet konkrete për shërbimet e kryera.
Të lidhura
None found
Parregullsi është konstatuar edhe në një tender për shërbime higjienike. Auditimi thekson se Komisioni Vlerësues kishte ndryshuar çmimin e ofertës së operatorit fitues, duke e zbritur nga 134,450 euro në 124,450 euro, me arsyetimin se po korrigjoheshin gabime aritmetike. Por auditorët kanë vlerësuar se në ofertë nuk ekzistonin gabime të tilla dhe se ndërhyrja prej 10 mijë eurosh shkonte përtej kufijve që ligji lejon për këso korrigjimesh.
Raporti po ashtu evidenton se në 20 misione diplomatike dhe konsullore, diplomatë dhe zyrtarë konsullorë kanë vijuar ushtrimin e funksioneve edhe pasi u kishte përfunduar mandati katërvjeçar i përcaktuar me ligj. Sipas gjetjeve të auditorit, disa prej tyre kishin mbetur në detyrë pa dekrete të reja për vazhdimin e mandatit ose pa vendime të reja emërimi. Nga 20 rastet e evidentuara, nëntë persona nuk i përkisnin shërbimit të përhershëm diplomatik.
Në auditim është përmendur edhe fakti se tri pozita të rregullta në ministri vazhdonin të mbaheshin nga ushtrues detyre përtej afateve të lejuara me ligj. Kjo kishte ndodhur edhe pse për këto vende pune nuk ishin hapur konkurse, pavarësisht përfshirjes së tyre në planin vjetor të rekrutimit.
Në përfundim, auditorët kanë rekomanduar që të forcohen mekanizmat e kontrollit të brendshëm, të respektohen rregullat e prokurimit publik, të caktohen menaxherë të kontratave dhe mandatet diplomatike të administrohen në përputhje me legjislacionin në fuqi.
