Gjatë viteve të fundit, autoritetet në Kosovë kanë vënë në pranga disa persona që dyshohen për spiunazh dhe lidhje me shërbimin inteligjent të Serbisë, BIA.
Të lidhura
None found
Ndër emrat e arrestuar nën këto dyshime janë Bedri Shabani, Muharrem Qerimi, Hysri Selimi dhe Fatmir Sheholli.
Arrestimi më i fundit lidhet me Fehim Salin, i cili u ndalua më 13 gusht 2026 në pikën kufitare të Merdarës. Ai dyshohet për spiunazh dhe bashkëpunim me BIA-n serbe, ndërsa Gjykata Themelore në Prishtinë, sipas raportimeve, i ka caktuar 30 ditë paraburgim.
Njohësi i çështjeve të sigurisë, Xhevat Meha, ka shprehur shqetësimin se veprimtaria e shërbimeve serbe në Kosovë mund të jetë e pranishme në institucione të ndryshme dhe në sektorë me rëndësi për jetën publike.

Duke folur për “Bota sot” rreth arrestimeve të fundit, Meha ka thënë se në dy-tre vitet e fundit janë arrestuar disa persona për dyshime të tilla, por numri i tyre ende nuk ka arritur në 10.
“Ditë më parë u paraburgos një individ që ishte spiun i Serbisë. Në dy-tre vitet e fundit janë burgosur disa, që ende nuk arrijnë numrin 10. Veprimtaria e fshehtë serbe në Kosovë është masive. Në vitin 2013, në Bruksel është raportuar se Serbia ka 720 agjentë në Kosovë. Gjatë luftës raportohet që brenda strukturave të UÇK-së ka pasur 140 agjentë. Numri prej rreth 700 agjentësh është numri maksimal që i duhet Serbisë për Kosovën”, ka deklaruar ai.
Sipas Mehas, rreziku kryesor nuk përcaktohet vetëm nga numri i agjentëve, por nga pozicionet dhe hapësira ku shtrihet rrjeti i tyre.
“Problemi nuk është te numri, por te shtrirja e këtyre agjentëve shqipfolës serbo-rusë. Hulumtimet dhe analizat që kam bërë në këtë fushë më thonë se shtrirja e këtij rrjeti përfshin krerë të partive politike, krerë të institucioneve të tjera, si prokurori, gjyqësi, hetuesi, e të mos flasim për institucione si Qeveria, Presidenca, Kuvendi, agjencitë shtetërore, ndërmarrjet publike e kështu me radhë. Të mos harrojmë edhe mediat, publicistikën, opinionbërësit etj.”
Meha ka deklaruar se, sipas informacioneve që disponon, Agjencia Kosovare e Inteligjencës prej disa vitesh po e ndjek dhe po e dokumenton aktivitetin e këtij rrjeti të fshehtë shqipfolës serbo-rus. Ai ka theksuar se institucionet duhet t’i kërkojnë të dhëna AKI-së, e cila ka mandatin dhe autorizimin për t’i ofruar ato.
Në përfundim, ai ka kërkuar që Presidenca, Kryeministria, agjencitë shtetërore dhe institucionet e pavarura të kërkojnë informacion nga AKI-ja. Sipas tij, nisma duhet të përfshijë edhe partitë politike, të cilat duhet të kërkojnë certifikatë pastërtie për kryetarët, anëtarët e kryesive, anëtarët e këshillave të përgjithshëm dhe delegatët e kuvendeve partiake.
“Duhet që të jetë kriter punësimi në institucionet shtetërore dhe institucionet e tjera që të sillet certifikata e pastërtisë”, ka përfunduar Meha për “Bota sot”.
