Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka shprehur pikëllimin e tij për vdekjen e profesorit Eqrem Kryeziu, një prej figurave historike të LDK-së.
Të lidhura
None found
Në një postim të publikuar në Facebook, Kurti ka ndarë me publikun kujtimin nga takimi i fundit me Kryeziun, në shtëpinë e tij në Prizren.
“Takimi ynë i fundit në shtëpinë e tij në Prizren ndodhi nga fundi i dhjetorit të vitit 2025. Biseduam gjatë dhe në një atmosferë të këndshme për të kaluarën dhe gjendjen e Kosovës. Vullneti njerëzor dhe qartësia e mendimit ia zbusnin çdo vështirësi shëndetësore. Edhe kësaj here, ai nuk mund të shprehej me fjali të zakonshme; për të, një mendim i thellë dhe njëkohësisht i qartë ishte mënyra normale e komunikimit”, ka shkruar Kurti.
Kurti ka vlerësuar gjithashtu rolin e Kryeziut në politikë, veçanërisht në shërbim të Prizrenit, si dhe kontributin e tij të gjatë në fushën e arsimit dhe akademisë, ku shërbeu si profesor i letërsisë shqipe në Universitetin e Prishtinës.
“Eqrem Kryeziu, ish-kryetar i Prizrenit, deputet nënshkrues i Deklaratës së Pavarësisë dhe ish-nënkryetar i LDK-së, i përkiste një brezi dhe një periudhe kur angazhimi politik nënkuptonte përkushtim të pandërprerë, për gjithçka dhe në çdo rrethanë. Libri i tij “Poetika e Zef Skiroit”, të cilin ma dhuroi më vonë, është i jashtëzakonshëm. U prehtë në paqe!”.
