300 “bluza të bardha” të Kosovës të vaksinuar në Kukës, flet Syla

Procesi i vaksinimit të mjekëve të Kosovës në Kukës pritet të përfundojë këtë të shtunë. Kështu është shprehur për mediat, kryetari i Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës, Blerim Syla.

“Procesi i vaksinimit të punëtorëve shëndetësorë është duke shkuar mirë. 300 punonjës janë vaksinuar deri sot dhe të shtunën do të mbyllet ky cikël. Për fat të mirë nuk kemi pasur asnjë ankesë deri tani. Mirëpo fat i keq është se ka kërkesa të mëdha për vaksinim, por ne i kemi mundësitë e limituara”, u shpreh Syla.

Po ashtu, ai tha se shpreson që ministri i ri i Shëndetësisë, Arben Vitia të kontaktojë me Republikën e Shqipërisë dhe të vazhdojë procesi i vaksinimit të punonjësve shëndetësorë.

“Por shpresojmë se ministri i ri Shëndetësisë të vjen në kontakt me Republikën e Shqipërisë dhe të vazhdojnë këtë proces që e kemi nisur ne si Federatë. Më tepër se 500 vaksina nuk kanë mundur as ata të sigurojnë, kërkesat janë shumë në rritje.”

Syla tha se në përgjithësi punonjësit që kanë marrë këto vaksina ndihen mirë dhe kanë pasur vetëm ankesa që janë normale. Shqipëria ka “ndarë” 500 vaksina nga dozat e saj për t’i vënë në dispozicion të mjekëve të Kosovës ku ende nuk ka mbërritur vaksina e parë.


Shtuar 25.03.2021 10:43