22 vjet nga masakra në Studimë të Vushtrisë, si u morën 116 jetë brenda dy orëve

Sot janë bërë 22 vjet nga masakra në Studimë të Vushtrisë, ku forcat serbe vranë 116 shqiptarë të pafajshëm.

Nga dëshmitarët thuhet se 116 civilët u pushkatuan brenda dy orëve, pasi u ndanë nga kolona e cila ishte nisur për në Shqipëri.

Familjarë dhe qytetarët nderojnë çdo vit viktimat nga forcat serbe, duke përkujtuar luftën e Kosovës.

Gjithashtu Ramush Haradinaj ka përkujtuar masakrën në Studimë të Vushtrisë,

Nëpërmjet një statusi në rrjetin social “Facebook”, Haradinaj shprehet se e drejta për viktimat asnjëherë nuk do të jetë e plotë, ndërsa shton se institucionet duhet të bëhen bashkë për të zbuluar të vërtetën, nderuar e mbrojtur, vlerën që u krijua nga sakrifica e të rënëve

Reagimi i plotë:

Ata nxorën nga kolona qindra njerëz që kishin marrë udhën për në Shqipëri. Ata nuk kursyen as te miturit e as gjyshërit. Ata ishin barbarët që na mbajtën nën okupim për disa dekada.

Njëzetedy vjet më parë në Studime të Vushtrrisë, ndodhi krimi që ende ka mbetur i pandëshkuar. Përpos që nuk është vendosur drejtësia, i tmerrshëm është tentimi për mohimin e krimit makabër.

Familje të tëra, kanë dhënë nga gjaku i tyre për lirinë e Kosovës, e sa pak kemi bërë si shoqëri e shtet për ta.

E drejta për viktimat asnjëherë s’do të jetë e plotë por duhet të jemi të bashkuar në kërkimin e saj. Gjithmonë duke ndarë dhembjen me ata që humbën të dashurit, duke ndjerë atë dhembje, e duke e nderuar e mbrojtur vlerën që u krijua nga sakrifica e të rënëve.

Lavdi e përjetshme!

RH


Shtuar 2.05.2021 10:12