Kanceri i vezores mund të zhduket nga një vaksinë thonë ekspertët.

Vaksina e parë në botë për kancerin e vezores mund ta zhdukë sëmundjen, thonë ekspertët. OvarianVax është një vaksinë që i mëson sistemit imunitar të dallojë dhe sulmojë fazat më të hershme të kancerit të vezores.

Vaksina po krijohet nga shkencëtarët e Universitetit të Oksfordit. Ata shpresojnë se gratë mund ta bëjnë vaksinën si masë parandaluese dhe të ofrohet nga shërbimi publik shëndetësor si qëllim për ta zhdukur sëmundjen.
Sipas tyre, mund të funksionojë në mënyrë të ngjashme me vaksinën e papilomavirusit human që është në rrugën e duhur për të pakësuar rastet e kancerit të qafës së mitrës.

Profesori Ahmed Ahmed dhe ekipi i tij po punojnë për të identifikuar shënjestrat qelizore për vaksinën. Ata do të përcaktojnë cilat proteina në sipërfaqen e qelizave të hershme të kancerit dallohen më mirë nga sistemi imunitar dhe sesi vaksina vret modelet e sëmundjes në laborator.

Më pas ata do të nisin testet klinike te pacientet që kanë mutacion të gjenit BRCA i cili rrit riskun e kancerit të vezores si edhe te gratë e shëndetshme.

Aktualisht nuk ka analiza parandaluese për kancerin në vezore që shpesh diagnostikohet me vonesë sepse simptomat e fryrjes dhe mungesës së oreksit mund të jenë të paqarta. Gratë me mutacione të gjenit BRCA si aktorja Angelina Jolie, janë më të rrezikuara.

Aktualisht, grave me këtë mutacion u rekomandohet heqja e vezores në moshën 35-vjeçare çka do të thotë se kalojnë në menopauzë të hershme dhe s’mund të kenë fëmijë në të ardhmen.


Shtuar 4.10.2024 23:33