Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar ndaj fjalimit të kryeministrit Edi Rama në një forum ndërkombëtar të zhvilluar në Itali, ku u diskutuan integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian dhe politika e zgjerimit të BE-së.
Sipas Berishës, Rama po përpiqet t’ia atribuojë Europës përgjegjësinë për vonesat e Shqipërisë në rrugën drejt anëtarësimit, ndërsa shkaku i vërtetë lidhet me qeverisjen e tij dhe, siç shprehet Berisha, me ndërtimin e një “narkoshteti”.
Të lidhura
None found
“Rama thotë: ‘I besoj shumë Europës’, por në të vërtetë ai u beson shumë Lubisë dhe drogës!”, shkruan Berisha në reagimin e tij.
Ai pretendon se gjatë forumit, Rama e paraqiti Europën si përgjegjëse për mosanëtarësimin e Shqipërisë në BE, ashtu siç, sipas tij, kishte mashtruar në vitin 2027. Berisha kundërshton gjithashtu deklaratën e Ramës se Europa duhet të falënderojë Putinin për politikën e zgjerimit.
Sipas kreut të PD-së, integrimi i Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian është përcaktuar në dokumentet themelore të BE-së që prej Samitit të Selanikut dhe shumë kohë përpara agresionit rus ndaj Ukrainës.
“Rama mund ta falënderojë Putinin sa të dëshirojë, por përgjegjësia nuk është e Europës. Fajin e kanë Padrinoja dhe Lubitë e tij, të cilët nuk ngopen së vjedhuri shqiptarët. Përgjegjës është vetë ai, Ramaduro, që ndërtoi narkoshtetin e parë dhe të vetëm në Europë”, shprehet Berisha.
Në përfundim, Berisha deklaron se largimi i Ramës përbën kushtin kryesor për rikthimin e shtetit ligjor në Shqipëri dhe për përparimin e sigurt të vendit.
