Vjeshta ende nuk ka mbërritur në Spanjë, ku është shënuar temperatura më e lartë e regjistruar ndonjëherë gjatë muajit shtator. Në qytetin El Granado, në jugperëndim të vendit, temperaturat arritën në 45.7 gradë Celsius, sipas të dhënave të konfirmuara nga Agjencia Shtetërore Meteorologjike e Spanjës (AEMET).
Të lidhura
None found
Vlera e regjistruar në El Granado përputhet me rekordin kombëtar të shtatorit, i vendosur në vitin 2016 në Montoro. Të dyja zonat ndodhen në Andaluzinë jugore. Për më tepër, 45.7 gradë Celsius përbëjnë temperaturën më të lartë të regjistruar në Spanjë gjatë gjithë vitit. Kjo ndodh në një javë kur një tjetër valë e nxehti ka përfshirë pjesë të mëdha të jugut dhe perëndimit të vendit, me temperatura që kanë kaluar 40 gradë Celsius.
Edhe Italia po përjeton valën e gjashtë të temperaturave të larta. Në shumë qytete të veriut dhe në rajonet qendrore, termometri shënon rreth 34–35°C, shifra dukshëm më të larta se mesatarja sezonale. Vala e nxehtësisë vijon të prekë gjithashtu edhe jugun e Francës.
Kjo verë po karakterizohet nga një zgjatje dhe nxehtësi e pazakontë. Ajo nisi që në maj dhe u pasua nga disa episode të njëpasnjëshme përvëluese. Sipas ekspertëve, situata lidhet me ndikimin e pandërprerë të anticiklonit afrikan, i cili transporton masa ajri me temperatura shumë të larta.
Meteorologët parashikojnë se në Itali moti mund të freskohet nga e enjtja, kur pritet të mbërrijnë masa ajrore më të ftohta nga Atlantiku i Veriut. Megjithatë, ndryshimi mund të shoqërohet me stuhi të fuqishme dhe breshër. Sipas të dhënave të Qendrës Europiane, temperaturat mbi normalen sezonale mund të vijojnë deri në fillim të tetorit, ndaj kjo nuk do të thotë domosdoshmërisht fundi i verës.
