Vllaznia dhe Partizani do të matin forcat sonte në stadiumin “Loro Boriçi”, në duelin e vlefshëm për javën e tretë të “Abissnet Superiore”. Ndeshja është programuar të nisë në orën 18:30.
Skuadra shkodrane do të jetë pa trajnerin Edi Martini në pankinë, pasi ai është pezulluar nga Disiplina për gjestin e bërë në Elbasan. Përballë saj do të jetë një Partizan me motivim të shtuar, që në dy javët e para të kampionatit ka grumbulluar vetëm një pikë dhe synon të thyejë një tabu në Shkodër, ku nuk fiton që prej vitit 2022.
Të lidhura
None found
Pak orë para startit të sfidës, Vllaznia u është drejtuar tifozëve përmes një mesazhi, duke kërkuar praninë dhe përkrahjen e tyre të plotë gjatë gjithë takimit.
“Le të tregojmë edhe njëherë forcën e Shkodrës, dashurinë për Vllazninë dhe qytetarinë që na karakterizon. Të mbështesim ekipin që nga minuta e parë e deri në të fundit, me zë, me zemër dhe me respekt”, thuhet në postimin e klubit, i cili e mbyll mesazhin me sloganin: Sot, “Loro Boriçi” duhet të flasë kuqeblu!
Takimi pritet të jetë i luftuar, pasi përballë do të jenë dy ekipe që kërkojnë të përmirësojnë bilancin e tyre dhe të fitojnë terren në renditje. Tri pikët do të kishin peshë të veçantë për vazhdimësinë e kampionatit dhe për garën me rivalët e titullit.
