Rıza Çalimbay është trajneri me më shumë paraqitje në stolin e një skuadre në historinë e Superligës turke, me mbi 600 ndeshje të drejtuara në këtë kampionat.
Të lidhura
None found
Edhe si futbollist, ai ndërtoi një karrierë të jashtëzakonshme. Çalimbay regjistroi më shumë se 500 paraqitje dhe fitoi tetë trofe, pjesën më të madhe të tyre me fanellën e Besiktasit.
Në një intervistë për Telegrafin, ish-trajneri i Besiktasit foli për forcën dhe cilësinë e Kosovës, rëndësinë e përballjes për të dyja përfaqësueset, si dhe faktorët që mund të përcaktojnë fituesin.
Çalimbay e nisi analizën e tij me një paralajmërim për Turqinë, duke theksuar se Kosova është dukshëm më e organizuar dhe më cilësore se Rumania.
“Kosova është një ekip shumë më i organizuar dhe më cilësor se Rumania. Për këtë arsye, Turqia nuk do ta ketë aspak të lehtë, përkundrazi, do të përballet me një sfidë shumë të vështirë, veçanërisht nëse ndeshja zhvillohet në transfertë. Nëse Kosova nënvlerësohet si një ekip i vogël, kjo mund të sjellë pasoja negative për Turqinë”, deklaroi fillimisht Çalimbay për Telegrafin.
Sipas tij, avantazhi i Kosovës shtohet edhe më shumë nga fakti se kjo ndeshje do të luhet para tifozëve të saj.
“Kosova ka lojtarë shumë të talentuar, disa prej të cilëve luajnë edhe në kampionate evropiane. Kjo e rrit edhe më tej nivelin e skuadrës. Për më tepër, mundësia për t’u kualifikuar në Kupën e Botës është jashtëzakonisht e rëndësishme për Kosovën. Duke luajtur në shtëpi dhe përpara tifozëve të vet, ajo do të japë maksimumin.”
“Pritet që mbështetja e tifozëve të jetë shumë e madhe. E dimë se do të jenë të pranishëm shumë shqiptarë dhe tifozë nga diaspora, duke krijuar një atmosferë të jashtëzakonshme. Kjo ndeshje mund të marrë përmasat e një finaleje të vërtetë dhe në asnjë mënyrë nuk duhet konsideruar e lehtë.”
Trajneri 63-vjeçar vlerëson se përballja do të jetë e ekuilibruar dhe se përqendrimi maksimal do të jetë vendimtar për të dyja skuadrat.
“Ndryshe nga Rumania, këtë herë Turqia do të ketë përballë një kundërshtar më të fortë. Për këtë arsye, duhet të marrë të gjitha masat e nevojshme. Për mendimin tim, është një ndeshje e balancuar, e cila kërkon përqendrim maksimal nga të dyja ekipet. Do të jetë një sfidë shumë e vështirë për të dyja palët.”
Çalimbay veçoi disa prej futbollistëve më të rrezikshëm të Kosovës, mes tyre Vedat Muriqin, Hadergjonajn dhe Fisnik Asllanin.
“Kosova ka lojtarë të mirë, si Vedat Muriqi, Hadergjonaj dhe Fisnik Asllani. Ka të paktën katër ose pesë futbollistë shumë cilësorë që duhet të merren në konsideratë.”
“Kjo do ta vështirësojë ndeshjen për të dyja skuadrat. Të dyja ekipet duhet të jenë të kujdesshme si në mbrojtje, ashtu edhe në sulm.”
“Kosova ka lojtarë shumë të rrezikshëm, sidomos në repartin ofensiv. Për këtë arsye, mbrojtja e Turqisë duhet të jetë jashtëzakonisht e vëmendshme gjatë gjithë ndeshjes”, u shpreh ai.
Në fund, Çalimbay shprehu respektin dhe mirënjohjen e tij për Kosovën, duke theksuar se bashkëpunimi sportiv mes dy vendeve duhet të forcohet më tej.
“Kosova është shumë pranë nesh, një vend që e duam shumë. Në aspektin e futbollit duhet të kemi gjithmonë marrëdhënie të afërta, të bashkëpunojmë më tepër, të marrim lojtarë dhe trajnerë nga njëri-tjetri dhe të bëjmë gjëra të bukura së bashku”, përfundoi ai.
Ndeshja Kosovë-Turqi do të zhvillohet të martën mbrëma, me fillim nga ora 20:45.
Mbulimi special i kësaj ngjarjeje mundësohet nga DFK Group, Daakonn Investments, Voom, Patos Kosova dhe 99esim.
