Gjatë protestës së 95-të, një prej aktivistëve foli për zhvillimet e aksionit të zhvilluar një natë më parë, kur hyrjet e Kryeministrisë u bllokuan ndërsa Edi Rama ndodhej brenda godinës.
Ai e përshkroi natën e kaluar si një ndër momentet më të bukura të protestës dhe tha se “miu u zu në çarkun e vet”. Sipas tij, qytetarët i dhanë kryeministrit mesazhin se nuk mund të lëvizë më i qetë në rrugët e zakonshme, pasi “bën pazar me tokat tona”. Aktivisti pretendoi se Rama u largua në mënyrë të fshehtë nga ana e Piramidës, me një automjet të Gardës së Republikës. Ai shtoi se policia arrestoi 14 protestues rezistues dhe se eskorta mundi të largohej vetëm pasi turma u zhvendos për të mbështetur personat e arrestuar.
Të lidhura
None found
Aktivisti sulmoi gjithashtu kritikët e aksionit të opozitës, duke i quajtur “delirantë dhe lëpirës të pushtetit”. Sipas tij, këta persona po përpiqen në çdo mënyrë të dëmtojnë lëvizjen që synon çlirimin e atdheut nga kthetrat e mafias. Ai deklaroi se populli ka dëshmuar dinjitet të madh, ndërsa qytetarët që vijojnë të qëndrojnë në shesh i cilësoi heronj.
Më tej, ai kërkoi që protesta të përshkallëzohet përmes mosbindjes qytetare dhe paralajmëroi bllokimin e të gjithë vendit. “Prandaj të mblidhemi në mosbindjen qytetare, do të jemi edhe më shumë dhe do të bllokojmë të gjitha arteriet e shtetit sepse ata kanë bllokuar jetët tona! Kur të çlirohet atdheu ynë, do t’i largohemi mosbindjes qytetare,” u shpreh aktivisti.
Në fund të fjalës, ai iu drejtua drejtpërdrejt kryeministrit, duke paralajmëruar se përplasja nuk mund të shmanget. “Rama le të përgatitet sepse e kemi thënë paqësisht, por talljet që kanë bërë do t’u kthehen bumerang. Ata do të ballafaqohen me poshtërsitë e tyre!” deklaroi ai.
