Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, së bashku me ministrin e Financave, Hekuran Murati, vizituan sot Administratën Tatimore të Kosovës, ku u njohën nga afër me rezultatet e punës së këtij institucioni.
Të lidhura
None found
Kurti falënderoi drejtuesit dhe punonjësit e ATK-së, duke vlerësuar se rezultatet e shënuara janë pasojë e punës dhe nuk kanë ardhur rastësisht.
Sipas tij, të hyrat tatimore janë rritur me rreth 14%, ndërsa aktivitetet operative kanë shënuar rritje prej mbi 35% në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Ai theksoi se krahas këtyre të dhënave, një tregues edhe më domethënës është zgjerimi i ekonomisë, me rreth 5,700 biznese dhe mbi 17,000 punëtorë më shumë të deklaruar krahasuar me vitin e kaluar. Kurti tha se kjo nënkupton më shumë veprimtari ekonomike, vende të reja pune dhe një bazë më të gjerë për zhvillimin e vendit.
Kreu i Qeverisë bëri të ditur se ATK-ja po punon edhe për ndryshimin e mënyrës së komunikimit dhe bashkëpunimit me bizneset dhe qytetarët.
Ai përmendi si hapa drejt një administrate më profesionale e më të besueshme rritjen e transparencës, përfshirë publikimin e vendimeve të Departamentit të Ankesave, si dhe objektivin që 100% e kontrolleve të mbështeten në vlerësimin e riskut. Sipas Kurtit, rritja me 46% e denoncimeve dëshmon për besim më të madh ndaj institucionit, ndërsa ulja e numrit të gjobave përputhet me qasjen që bizneset fillimisht duhet të këshillohen dhe udhëzohen. Ai shtoi se ndëshkimi duhet të përdoret vetëm si masë e fundit kur ligji shkelet qëllimisht ose në mënyrë të përsëritur.
Kurti siguroi mbështetjen e Qeverisë dhe kërkoi që ATK-ja të vijojë punën me profesionalizëm, transparencë dhe trajtim të barabartë për të gjithë tatimpaguesit.
Ai nënvizoi gjithashtu rëndësinë e digjitalizimit, duke veçuar certifikimin e nëntë kompanive softuerike në procesin e fiskalizimit, çka, sipas tij, sjell më shumë konkurrencë dhe mundësi për shërbime më cilësore e më të përballueshme për bizneset. Kurti e cilësoi të domosdoshëm edhe investimin në burimet njerëzore, ndërsa punësimin e inspektorëve dhe mbledhësve të rinj të borxheve e vlerësoi si dëshmi të ndërtimit të kapaciteteve të nevojshme për të ardhmen e ATK-së.
