Dirk Schuebel ka nisur mandatin si Ambasador i Bashkimit Evropian në Kosovë, ku njëkohësisht do të ushtrojë funksionet e Shefit të Zyrës së BE-së dhe Përfaqësuesit Special të Bashkimit Evropian (EUSR), njoftoi Zyra e BE-së në Prishtinë.
Të lidhura
None found
Me marrjen e detyrës, Schuebel kërkoi që institucionet të formohen pa vonesa, në mënyrë që Bashkimi Evropian të mund të angazhohet në tërësi me Kosovën dhe t’ia ofrojë asaj ndihmën që ka në dispozicion.
Sipas tij, përpara ndodhet një mundësi e rëndësishme që duhet shfrytëzuar. Ai deklaroi se, në interes të të gjithë qytetarëve, Kosovës i nevojiten institucione funksionale, të cilat mund t’i zbatojnë reformat e domosdoshme dhe të përfitojnë plotësisht nga Plani i Rritjes i BE-së, si dhe nga fondet e konsiderueshme të IPA-s që pritet të vihen së shpejti në dispozicion. Schuebel theksoi se përdorimi maksimal i këtyre mundësive kërkon përgjegjësi politike, institucione efikase dhe përqendrim të qartë te reformat dhe agjenda e integrimit evropian.
Ambasadori u shpreh i gatshëm të bashkëpunojë me institucionet kosovare, subjektet politike, shoqërinë civile, mediat dhe të gjitha komunitetet. Synimi, sipas tij, është që një Kosovë multietnike të ecë përpara drejt anëtarësimit në BE në kushte të barabarta me partnerët e tjerë të Ballkanit Perëndimor.
Schuebel tha se do ta përkrahë perspektivën evropiane të Kosovës, duke nënvizuar se realizimi i këtij objektivi kërkon angazhimin e të gjithë shoqërisë dhe një zotim të përbashkët që integrimi në BE të trajtohet si përparësi përtej dallimeve politike.
Ai bëri të ditur gjithashtu se do ta mbështesë pjesëmarrjen konstruktive të Kosovës në Dialogun mes Beogradit dhe Prishtinës, të ndërmjetësuar nga BE-ja, si edhe përparimin drejt normalizimit të marrëdhënieve. Për këtë çështje, ai do të punojë në bashkëpunim të ngushtë me Përfaqësuesin Special të BE-së për Dialogun, Peter Sorensen.
Duke rikujtuar mbështetjen mbi 25-vjeçare që prej vitit 1999, Schuebel theksoi se Bashkimi Evropian do të vazhdojë të jetë përkrah Kosovës si partneri i saj më i fuqishëm dhe më i besueshëm, njëherësh edhe si ofruesi më i madh i ndihmës financiare.
Në njoftim thuhet se BE-ja i ka dhënë Kosovës mbi 3.7 miliardë euro asistencë, e cila ka përfshirë rindërtimin, ngritjen e institucioneve, sundimin e ligjit, zhvillimin ekonomik dhe krijimin e mundësive për të rinjtë.
Schuebel vlerësoi se, përmes punës së përbashkët, aspiratat evropiane të Kosovës mund të kthehen në rezultate konkrete për të gjithë qytetarët e saj.
Gjatë ushtrimit të mandatit, Ambasadori Schuebel do të ketë mbështetjen e Alexis Hupin, i sapoemëruar në postin e Zëvendës Shefit të BE-së në Kosovë, si dhe të ekipit të Bashkimit Evropian në vend.
