Qendra Kombëtare e Urgjencës Mjekësore ka dhënë sqarime për ngjarjen e regjistruar më 29 gusht 2026 në Vaun e Dejës, ku dy persona humbën jetën pas goditjes nga energjia elektrike.
Sipas QKUM-së, bëhet fjalë për dy episode të ndara, të ndodhura në kohë të ndryshme dhe të dyja të shkaktuara nga kontakti me rrymën.
Të lidhura
None found
Rasti i parë u raportua në orën 18:03. Në vendin e ngjarjes ndodhej një infermiere e zonës, e cila kishte nisur menjëherë reanimimin kardiopulmonar, por pa arritur të rikthente qarkullimin spontan.
Ambulanca e Vaut të Dejës ishte jashtë shërbimit në atë moment, për shkak të një defekti teknik. Për këtë arsye, drejt zonës u nis një ambulancë nga Spitali i Shkodrës, e cila mbërriti në orën 19:44.
“Manovrat e reanimimit janë vijuar edhe gjatë transportit drejt Spitalit të Shkodrës. Pavarësisht përpjekjeve të personelit shëndetësor, nuk u arrit rikthimi i qarkullimit spontan dhe pacienti humbi jetën”, thuhet në reagimin e QKUM-së.
Viktima e dytë ishte një elektricist, i cili shkoi në vendngjarje disa minuta më vonë për të ndërhyrë në defektin elektrik. Gjatë punës, ai u godit gjithashtu nga rryma dhe ndërroi jetë.
Thirrja për rastin e dytë u regjistrua në orën 18:53. Personi u gjet pa shenja jete gjatë vlerësimit fillestar. Ambulanca e dytë e nisur nga Shkodra mbërriti në vendngjarje në orën 19:54, ndërsa rasti u konstatua dhe u referua si Kod i Zi.
QKUM thekson se goditja elektrike është një urgjencë mjekësore me rrezik tepër të lartë për jetën, pasi në format e rënda mund të shkaktojë arrest kardiak dhe vdekje të menjëhershme.
“Mbi çdo sqarim institucional, kjo mbetet para së gjithash një ngjarje tragjike, e cila solli humbjen e dy jetëve njerëzore. Qendra Kombëtare e Urgjencës Mjekësore shpreh keqardhjen e thellë për këtë humbje dhe u përcjell ngushëllimet më të sinqerta familjeve dhe të afërmve të dy viktimave. Në këto momente të vështira, QKUM bashkohet me dhimbjen e familjeve për humbjen e njerëzve të tyre të dashur”, thuhet më tej në reagim.
