Një tjetër përplasje diplomatike ka shpërthyer mes Greqisë dhe Turqisë lidhur me Egjeun, pas miratimit nga Athina të një plani për zhvillimin industrial dhe ngritjen e qendrave të furnizimit në territorin grek.
Të lidhura
None found
Dokumenti, i cili hyri në fuqi më 28 gusht, përcakton hapësirat ku lejohen aktivitetet industriale, zonat ku mund të ndërtohen struktura biznesi e logjistike, si dhe kushtet që duhen zbatuar për mbrojtjen e mjedisit. Kundërshtia e Ankarasë lidhet me faktin se në plan janë përfshirë edhe ishuj e territore të Egjeut.
Ministria e Jashtme turke deklaroi se masat e ndërmarra nga Greqia nuk prodhojnë efekte juridike ndaj Turqisë. Në të njëjtën kohë, ajo përsëriti qëndrimin e njohur të Ankarasë se në Egje ndodhen disa ishuj të vegjël dhe formacione gjeografike, sovraniteti mbi të cilat, sipas palës turke, nuk i është transferuar Greqisë përmes traktateve ndërkombëtare.
Për Athinën, këto pretendime janë “të pabazuara dhe të papranueshme”. Ministria e Jashtme greke reagoi ashpër, duke theksuar se përsëritja e të njëjtit pretendim nga Turqia sa herë që Greqia miraton një plan të ri territorial, nuk i siguron atij as bazë ligjore dhe as vlefshmëri.
Qeveria greke nënvizoi se statusi i sovranitetit në Egje është i përcaktuar qartë nga traktatet ndërkombëtare në fuqi. Sipas Athinës, plani nuk ka karakter ushtarak dhe nuk sjell ndryshime kufijsh, por shërben si një instrument ekonomik dhe urbanistik për përcaktimin e zonave dhe kushteve ku mund të zhvillohen industria, aktivitetet tregtare dhe qendrat e shpërndarjes së mallrave.
Në Athinë dhe Selanik, për shembull, parashikohet kufizimi i ndërtimit të fabrikave të reja jashtë zonave industriale të organizuara. Për ishujt janë vendosur rregulla të posaçme, të lidhura me kufizimet e hapësirës dhe domosdoshmërinë e ruajtjes së mjedisit. Athina këmbëngul se përplasja nuk lidhet me industrinë, por me vendosjen e rregullave për zhvillimin ekonomik brenda territorit të saj. Ndërkohë, Turqia argumenton se përfshirja e disa zonave të Egjeut në dokumentet greke nuk përbën dëshmi juridike të sovranitetit të Greqisë mbi to.
Megjithëse përdori tone të forta, Ankaraja nuk e mbylli mundësinë e komunikimit. Ministria e Jashtme turke tha se vijon të mbështesë marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë, në përputhje me Deklaratën e Athinës të dhjetorit 2023, ndërsa shprehu gatishmërinë e Turqisë për bashkëpunim me Greqinë.
Ky është rasti i dytë i tensioneve mes dy vendeve brenda pak ditësh. Përplasja e mëparshme kishte të bënte me planet greke për energjinë e rinovueshme dhe ndërtimin e parqeve detare në Egje, çka bëri që Turqia të rikthente çështjen e sovranitetit mbi disa ishuj dhe formacione gjeografike.
