Deputeti shqiptar në Serbi, Shaip Kamberi, ka dënuar vendimin që ish-komandanti serb Ratko Mladiq, i shpallur përfundimisht fajtor për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte, të përcillet drejt varrit me nderime shtetërore dhe ushtarake.
Të lidhura
None found
Duke iu referuar Gjermanisë së pasluftës, Kamberi ka ngritur pyetjen se cili do të ishte reagimi i Evropës nëse autoritetet gjermane do të nderonin figura naziste si Adolf Eichmann, Hermann Göring apo Joseph Goebbels.
Sipas deputetit, trajtimi ceremonial i Mladiqit nuk mund të shihet thjesht si një çështje brenda familjes, pasi ai përçon një sinjal politik dhe mund ta paraqesë një person të dënuar për gjenocid si simbol kombëtar.
Kamberi ka nënvizuar se Serbia, që aspiron anëtarësimin në Bashkimin Evropian, duhet të përballet me krimet e së kaluarës, në vend që të nderojë dhe glorifikojë përgjegjësit e tyre.
“Pajtimi nuk mund të ndërtohet pa të vërtetën, Evropa nuk mund të ekzistojë pa vlera dhe integrimi evropian nuk mund të arrihet duke nderuar kriminelët e luftës”, ka shkruar Kamberi, duke e vlerësuar këtë situatë edhe si një provë për Bashkimin Evropian.
