UEFA ka bërë të ditur datat e fazës së Ligës së Kampionëve për edicionin 2026/27, ku do të marrin pjesë 36 skuadra. Kjo pjesë e garës do të nisë më 8 shtator dhe do të mbyllet më 27 janar 2027.
Kalendari do të hapet me xhiron e parë, e cila do të zhvillohet nga 8 deri më 10 shtator 2026. Ndeshjet do të luhen të martën, të mërkurën dhe të enjten, duke e bërë këtë të vetmen xhiro që përfshin edhe ditën e enjte.
Të lidhura
None found
Dy xhirot pasuese janë planifikuar për muajin tetor. E dyta do të zhvillohet më 13 dhe 14 tetor, ndërsa e treta më 20 dhe 21 tetor 2026.
Gjatë nëntorit do të luhen edhe dy xhiro të tjera. Ndeshjet e xhiros së katërt janë caktuar për 3 dhe 4 nëntor, kurse ato të xhiros së pestë për 24 dhe 25 nëntor.
Xhiroja e gjashtë do të zhvillohet më 8 dhe 9 dhjetor 2026. Gara do të vijojë në janar 2027 me xhiron e shtatë, e paraparë për 19 dhe 20 janar, ndërsa xhiroja e tetë dhe e fundit do të luhet më 27 janar. Të gjitha ndeshjet e kësaj xhiroje do të nisin në të njëjtën kohë.
Në përfundim të tetë xhirove, skuadrat që renditen në tetë vendet e para do të kalojnë drejtpërdrejt në 1/8-tën e finales. Ekipet e pozicionuara nga vendi i 9-të deri në vendin e 24-t do të përballen në fazën ‘play-off’, ndërsa ato nga vendi i 25-të e më poshtë do të eliminohen nga garat evropiane.
Faza nokaut do të nisë në shkurt, ndërsa finalja e Ligës së Kampionëve për sezonin 2026/27 do të mbahet më 5 qershor 2027 në Madrid, në stadiumin “Metropolitano”.
Datat e fazës së ligës janë: Xhiroja 1, 8-10 shtator 2026; Xhiroja 2, 13-14 tetor 2026; Xhiroja 3, 20-21 tetor 2026; Xhiroja 4, 3-4 nëntor 2026; Xhiroja 5, 24-25 nëntor 2026; Xhiroja 6, 8-9 dhjetor 2026; Xhiroja 7, 19-20 janar 2027; Xhiroja 8, 27 janar 2027.
