Protesta qytetare kundër qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama, mbërrin sot në ditën e saj të 91-të. Qytetarët vazhdojnë të tubohen në Tiranë, duke kërkuar dorëheqjen e kreut të qeverisë dhe ndryshimin e sistemit politik.
Mobilizimi ka vijuar pa ndërprerje për 90 ditë, me protestuesit që kanë marshuar nga sheshi “Skënderbej” deri përpara Kryeministrisë, ku kanë shprehur qëndrimet e tyre kundër qeverisë.
Të lidhura
None found
Largimi i Edi Ramës, mbetet kërkesa kryesore e protestuesve. Platforma e tyre parashikon gjithashtu ngritjen e një qeverie tranzitore me mandat 12-mujor, si dhe ndryshimin e drejtimit politik të vendit.
Gjatë tubimit të mbrëmshëm, pjesëmarrësit përshkuan rrugët e kryeqytetit duke brohoritur “Ndryshim sistemi! Revolucion!”, “Arrestoni Ramën dhe Ballukun!” dhe “Shqipëri e rinisë, jo e partisë!”.
Ata deklaruan se protesta nuk do të ndalet pa u përmbushur kërkesat e tyre.
Edhe pas 90 ditësh protestash, pjesëmarrësit e përkufizojnë këtë lëvizje si një revoltë qytetare ndaj klasës së vjetër politike. Në protestën e 90-të, në pankarta u shfaq edhe mesazhi “90 ditë, një kërkesë: llogaridhënie”, ndërsa organizatorët njoftuan se mobilizimi do të vijojë.
Për ditën e 91-të parashikohet një tjetër grumbullim i qytetarëve në shesh, i pasuar nga marshimi nëpër rrugët e Tiranës. Protestuesit synojnë ta mbajnë në vazhdimësi presionin qytetar deri në realizimin e një ndryshimi politik.
Ndërkohë, për 12 shtator është njoftuar mbajtja e një proteste kombëtare, së cilës pritet t’i bashkohet edhe Diaspora.
