Presidenti Donald Trump ka firmosur sot një urdhër ekzekutiv për ndryshimin e emrit të Liqenit Ontario, i cili ndodhet në kufirin mes Shteteve të Bashkuara dhe Kanadasë. Sipas urdhrit, liqeni do të quhet “Liqeni Amerika”.
Vendimi është pjesë e politikës së Trump për të riformësuar emërtimet gjeografike për motive patriotike dhe politike. Më herët, një tjetër ndryshim i ngjashëm ishte riemërtimi i Gjirit të Meksikës si Gjiri i Amerikës.
Të lidhura
None found
Nisma e re vjen në një periudhë tensionesh mes Uashingtonit dhe Otavës, pas luftës tregtare, vendosjes së tarifave reciproke dhe kërcënimeve të Trump për aneksimin e Kanadasë si shteti i 51-të i SHBA-së.
Liqeni Ontario shtrihet përgjatë vijës kufitare SHBA-Kanada dhe rreth 47% e sipërfaqes së tij i përket Shteteve të Bashkuara.
Megjithatë, Axios raportoi se mbetet e paqartë nëse presidenti amerikan ka kompetencën ligjore për të ndryshuar emrin e një liqeni që ndahet nga dy shtete.
Trump e kishte bërë të ditur më herët këtë synim përmes një postimi në Truth Social, ku shkruante se “Shtetet e Bashkuara po e shqyrtojnë seriozisht ndryshimin e emrit të Liqenit Ontario në Liqeni Amerika, pasi nuk presim më të bashkëpunojmë ngushtë me Ontarion”.
Presidenti amerikan publikoi gjithashtu një hartë ku emërtimi “Liqeni Ontario” ishte fshirë dhe ishte zëvendësuar me “Liqeni Amerika”, të shkruar me shkronja të arta.
Bisedimet tregtare mes SHBA-së dhe Kanadasë u ndërprenë të premten e kaluar. Si pasojë, u vendosën tarifa prej 50% për mallrat kanadeze me vlerë rreth 20 miliardë dollarë. Kryeministri kanadez deklaroi se vendi i tij do të përgjigjej me tarifa “dollar për dollar”, pra me vlerë të njëjtë.
Të hënën, Trump e kërcënoi sërish Kanadanë duke paralajmëruar se tarifat për makinat dhe kamionët do të rriteshin në 50%, megjithëse këto masa nuk do të hynin në fuqi deri në vitin 2027.
