Tre zjarre janë aktualisht aktive në ambiente të hapura në territorin e Tetovës, ndërsa ekipet e Njësisë Territoriale Kundër Zjarrit po angazhohen për përballimin e situatës. Vatrat ndodhen në fshatrat Leshnicë dhe Pallaticë, si edhe përgjatë rrugës rajonale mes Strimnicës dhe Çellopekut.
Të lidhura
None found
Lajmi është bërë i ditur nga Avni Ameti përmes një reagimi në rrjetet sociale, ku ai u ka kërkuar qytetarëve të tregojnë kujdes dhe përgjegjësi të shtuar, sidomos në kushtet e temperaturave të larta.
Sipas Ametit, edhe pse apeli për kujdes është përsëritur vazhdimisht, zjarrfikësit vijojnë të përballen me zjarre që dyshohet se shkaktohen nga pakujdesia e individëve.
“Ne kemi forcën, guximin dhe përkushtimin për t’u përballur me çdo vatër zjarri. Do të jemi gjithmonë në terren dhe do të bëjmë gjithçka që është e mundur për të mbrojtur qytetarët dhe për t’i bërë banorët të ndihen të sigurt”, ka shkruar Ameti.
Ai ka nënvizuar se jeta e asnjë zjarrfikësi nuk duhet të vihet në rrezik për shkak të pakujdesisë së një personi tjetër.
Mesazhin e tij Ameti e ka mbyllur me një thirrje drejtuar qytetarëve që të veprojnë me më shumë përgjegjësi dhe kujdes, me qëllim shmangien e përhapjes së zjarreve.
