Një person ka ndërruar jetë në Holandë pasi ishte infektuar me virusin e Nilit Perëndimor, bëri të ditur Instituti Kombëtar Holandez për Shëndetin Publik dhe Mjedisin (RIVM).
Të lidhura
None found
Rasti i parë i infektimit në vend që nga viti 2020 u njoftua nga instituti javën e kaluar. Tashmë, numri i rasteve të regjistruara dyshohet se ka shkuar në tre. RIVM nuk ka sqaruar nëse viktima ishte pjesë e rasteve të konfirmuara dhe as nuk ka publikuar të dhëna të tjera rreth saj.
Infeksioni transmetohet te njerëzit kryesisht përmes pickimit të mushkonjave. Organizata Botërore e Shëndetësisë vlerëson se rreth një në 150 raste mund të zhvillojë një formë të rëndë dhe kërcënuese për jetën.
Sipas OBSH-së, temperaturat e larta po favorizojnë përhapjen e virusit në Evropë. Gjatë kësaj vere, shtim të rasteve janë raportuar edhe në Greqi dhe Itali.
Pavarësisht këtyre zhvillimeve, autoritetet në Holandë thonë se mundësia që njerëzit të infektohen me virusin e Nilit Perëndimor në vend vijon të jetë shumë e ulët.
